Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, e cila për dy javë ndalon veprimet dhe vendimet e deputetëve, mund të ketë dy kuptime.
Sipas tij, ky vendim është marrë për të parandaluar një vakum institucional që mund të çonte në keqpërdorime gjatë seancës, si dhe për t’i dhënë kohë Lëvizjes Vetëvendosje që të sigurojë mbështetjen e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Ndoshta kjo masë ka dy kuptime: e para, që të mos lërë vakum të keqpërdorimit të seancës apo ndonjë vendimi arbitrar nga kryesuesi i seancës, dhe e dyta, që t’i japë hapësirë LVV-së që, në kuadër të vendimit paraprak të gjykatës, të gjejë bashkëpunimin për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Problemi është i qartë, Albin Kurti dhe VV nuk e kanë hallin e Kuvendit, por të Qeverisë. Ata nuk i kanë numrat”, ka theksuar Zemaj.