Pas fjalimit të Papa Leos para mediave, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky, ka njoftuar se edhe ai ka zhvilluar një bisedë me kreun e ri të Kishës Katolike.
Zelensky përmes rrjeteve sociale, ka thënë se ata kanë zhvilluar një bisedë “shumë të ngrohtë dhe vërtet substanciale”, ndërsa e ka falënderuar Papën për fjalët e tij “për nevojën për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Tutje ai ka shtuar se kanë folur edhe për fatin e mijëra fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia, duke kërkuar “ndihmën e Vatikanit për t’i sjellë ata në shtëpi tek familjet e tyre”.
“Ukraina dëshiron t’i japë fund kësaj lufte dhe po bën gjithçka për ta arritur këtë. Tani presim hapa të ngjashëm nga Rusia”, është shprehur Zelensky.
Ai poashtu ka bërë të ditur se e ka ftuar Papën për një vizitë në Ukrainë, duke thënë se “vizita do t’u sillte shpresë të vërtetë të gjithë besimtarëve dhe njerëzve tanë.”