Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar kërkesën e VV- së për anulimin e votave të dërguara me postë dhe rivotim, me arsyetimin se ankesa është dorëzuar jashtë afatit ligjor.
Në një komunikatë për media, Vetëvendosje e ka cilësuar këtë vendim si arbitrar dhe të pashpjegueshëm, duke akuzuar PZAP-në për shmangie nga përgjegjësia për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
LVV thekson se ankesën e ka dorëzuar brenda afatit ligjor, duke u bazuar në njoftimin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se numërimi përfundoi më 5 mars në ora 21:00. Sipas tyre, afati i ankesave 48-orëshe skadonte më 7 mars në të njëjtën orë, ndërsa ankesa është dorëzuar më 7 mars në ora 20:20. Për këtë arsye, LVV e sheh refuzimin e PZAP-së si një vendim të padrejtë dhe në kundërshtim me rregullat e KQZ-së dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Justifikimi i PZAP-së se kinse ankesa është e pasafatshme, është qartazi tendencë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale e ligjore për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor. Shkeljet e shumta e manipulimi flagrant i procesit të votimit përmes postës nga ana e LDK-së nuk mund të anashkalohet. Vota dhe vullneti i lirë i votuesve duhet dhe do të mbrohet. Integriteti i procesit zgjedhor duhet të garantohet përmes anulimit të fletëvotimeve të dërguara përmes postës dhe organizimit të procesit të rivotimit. Ndërsa, të gjithë ata që kanë ideuar, organizuar e zbatuar këtë krim zgjedhor duhet të nxirren para drejtësisë. Lëvizja Vetëvendosje do të ushtrojë ankesë në afatin e paracaktuar pas shpalljes së rezultateve”, thuhet në reagim.