Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) tha se emri i Lulzim Halilit, që raportohet se u arrestua në Serbi një ditë më parë, nuk është gjetur në arkivat e veteranëve të luftës e as në listat e disa brigadave të UÇK-së. Lidhur me këtë rast ende nuk kanë reaguar institucionet zyrtare të Kosovës.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i OVL UÇK, Gazmend Syla.
Mediat në Serbi kanë raportuar se Halili dyshohet për krime lufte kundër njerëzimit. Ai pretendohet se ka qenë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka vepruar në rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës, si dhe pretendohet se ka marrë pjesë në një sulm ndaj një posti ushtarak jugosllav në Koshare.
“Në fakt, as nuk ka status të veteranit luftëtar, as status të veteranit pjesëtar, as nuk ka status të veteranit pjesëmarrës”, tha Syla.
Ai shtoi se shumë veteranë nuk kanë aplikuar fare për status, prandaj OVL UÇK është interesuar dhe ka biseduar me luftëtarë të tjerë në Pejë, prej nga është Halili, nëse e njohin atë, nëse kanë qenë pjesëmarrës në ndonjë betejë me të, apo nëse kanë shkuar për furnizime me armë në Shqipëri. Por, ata nuk kanë pohuar se kanë takuar Halilin gjatë luftës së UÇK-së.
Duke qenë se në Serbi është pretenduar se Halili kishte marrë pjesë në betejën e Koshares, Syla tha se me qëllim që të hulumtohet nëse ai ishte pjesë e kësaj beteje, OVL UÇK ka shikuar në brigadën 138 Agim Ramadani që ka operuar në Koshare.
“Edhe aty nuk ka figuruar emri si veteran, as si pjesëmarrës i kësaj beteje, e as në listat e ushtarëve të UÇK-së”, tha ai.
“Ne si organizatë kemi dyshimet tona se ky skenar është rregulluar e përgatitur nga shteti serb për të dërguar ndonjë mesazh këtu në Kosovë. Ose ndoshta ka qenë edhe hakmarrje për atë që ndodhi me përfaqësuesin e Zyrës së Kosovës në Serbi, siç i thonë ata, i cili u arrestua pas deklarimeve të tij në Rahovec”, shtoi Syla.
Radio Televizioni i Serbisë tha se Halilit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe më pas ai pritet të dërgohet në prokurorinë përkatëse për t’u përballur me kallëzim penal.
Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.
Arrestimi i fundit vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi më 18 korrik në Kosovë u arrestua Igor Popoviq, ndihmësi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte cilësuar UÇK-në si “organizatë terroriste”.
Serbia ka kërkuar lirimin e tij dhe ka paralajmëruar për “pasoja të paparashikueshme”, ndërkaq kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin përmes Serbisë, pasi ka thënë se ka indikacione për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.
Ndryshe, në Koshare, – në vendin ku Halili akuzohet nga Serbia se ka kryer krime – ishte një post kufitar i Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, i vendosur në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, në shpatet e Pashtrikut. Më 9 prill 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, aty shpërtheu një betejë e përgjakshme, që zgjati 67 ditë, mes forcave të ushtrisë jugosllave dhe UÇK-së.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, në betejën e Koshareve u vranë 108 ushtarë të ushtrisë jugosllave, ndërsa sipas zyrtarëve në Kosovë, në këtë betejë janë vrarë 114 pjesëtarë të UÇK-së. Autoritetet jugosllave kishin deklaruar po ashtu se NATO-ja kishte bombarduar zonën e Koshares në maj të vitit 1999.
Beteja në Koshare përfundoi më 14 qershor 1999, kur Ushtria e Jugosllavisë u tërhoq nga Kosova, në përputhje me marrëveshjen që i dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershme.
Fushata ajrore e NATO-s ndaj Jugosllavisë filloi më 24 mars 1999. Sipas NATO-s, ndërhyrja ushtarake u ndërmor për shkak të shtypjes dhe dëbimit të shqiptarëve nga Kosova nga forcat serbe të sigurisë. Kjo fushatë ajrore zgjati për 78 ditë. REL