Një ngjarje tragjike është regjistruar në orët e hershme të mëngjesit në rrugën “Zagrebi” në Prishtinë, ku një zyrtar i Policisë së Kosovës ka humbur jetën pas një aksidenti trafiku.
Sipas Policisë, vdekja e policit është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipet emergjente, ndërsa dyshimet e para tregojnë se ajo mund të ketë ndodhur para aksidentit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka deklaruar për RTKlive se rasti është ende nën hetim.
“Sot rreth orës 06:30 në rrugën Zagrebi në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka qenë e përfshirë një veturë. Njësitet policore dhe emergjenca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës, zyrtar policor”, ka thënë Pllana.
Sipas tij, ekziston dyshimi fillestar se vdekja ka ndodhur para përplasjes.
“Dyshohet se vdekja e viktimës ka ndodhur para aksidentit të komunikacionit, si pasojë e një sulmi në zemër”, ka theksuar ai.
Me rastin po merret Njësia Rajonale e Trafikut, ndërsa hetimet janë në vazhdim për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e sakta të ngjarjes.




