Presidenti amerikan, Donald Trump e ka shkarkuar udhëheqësin e shefave të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Charles Brown, dhe i ka liruar nga puna pesë admiralë dhe gjeneralë tjerë, duke ndryshuar përbërjen e udhëheqësisë së lartë të ushtrisë amerikane.
Gjenerali i forcës ajrore amerikane, Brown, ka shërbyer si udhëheqës i shefave të shtabit të përgjithshëm prej vitit 2023, dhe ishte emëruar nga ish-presidenti Joe Biden.
Brown, zyrtari i dytë me ngjyrë që ka mbajtur një pozitë kaq të lartë, pritej të përfundonte mandatin e tij katërvjeçar në shtator të vitit 2027.
Në një deklaratë të Pentagonit është thënë se Trump do të nominojë gjeneralin e pensionuar Dan “Razin” Caine në pozitën që ka pasur Brown.
Ndaras, Pentagoni ka bërë të ditur se Trump do të zëvendësojë dhe shefen e marinës amerikane, admiralen, Lisa Franchetti – gruan e parë që ka mbajtur një pozitë kaq të lartë ushtarake – si dhe zëvendës-shefin e shtabit të përgjithshëm të forcës ajrore, Jim Slife.
Edhe avokatët e përgjithshëm të forcës ushtarake, të marinës dhe forcës ajrore, janë liruar, gjithashtu, nga puna.
Slife ka udhëhequr Komandën Operacionale të Forcës Speciale Ajrore, para se të bëhej zëvendës-shef i stafit të angazhuar në Lindje të Mesme dhe Afganistan.
Këto vendime janë pjesë e një fushate të çuar përpara nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, për të hequr dorë nga programet për diversitet, barazi dhe gjithpërfshirje në ushtri.
Hegseth ka thënë se Departamenti për Efikasitet Qeveritar (DOGE) do të ketë “qasje të gjerë” për t’i çrrënjosur këto programe nga Pentagoni.
DOGE do të punojë “për t’i gjetur tepricat dhe për t’i identifikuar gjurmët e fundit të prioriteve të Bidenit”, sikurse programi për gjithpërfshirje (DEI).
Këto nuk janë “në thelb të misionit tonë, dhe do t’i flakim tutje”, ka thënë Hegseth.
Shefi i kompanive SpaceX dhe Tesla, Elon Musk – njeriu më i pasur në botë – është angazhuar nga Trumpi për të udhëhequr zyrën e DOGE-s.
Përpjekjet e Muskut për të rritur efikasitetin, kanë rezultuar me largim nga puna të dhjetëra mijëra punëtorëve federalë, duke nxitur nisjen e procedurave ligjore prej palëve tjera.