Gjatë takimit me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidenti amerikan Donald Trump foli në lidhje me emigracionin e paligjshëm përmes Kanalit të La Manshit. Pas sqarimit nga Starmer për çështjen e varkave të vogla, Trump u fokusua në emigracionin si një temë më e gjerë.
“Emigracioni është një faktor shumë i madh,” tha Trump fillimisht, sipas The Guardian, duke ngritur pyetjen: “A po vijnë këta njerëz nga burgjet?” Ndërsa, më pas pretendoi se gjatë kohës së tij ka ndaluar emigracionin e paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Por, në një deklaratë më të fortë e të padëgjuar më parë, Trump vazhdoi duke thënë:
“Europa do të jetë një vend krejt ndryshe nga sa ishte para pesë apo dhjetë vitesh. Nëse nuk marrin masa, nuk do të kemi më Europën siç e njohim. Kjo është një pjesë madhështore e botës dhe nuk mund ta shkatërrosh.”
Trump është shprehur më tej duke thënë se nuk e njeh konkretisht situatën, por supozon se vendet e tjera “nuk po dërgojnë njerëzit e tyre më të mirë”. Ai më tej ka lavdëruar qëndrimin e Starmer ndaj emigracionit, duke thënë se kishte dëgjuar se po merrte masa të forta.
Trump ka shtuar se nuk duhet lejuar hyrja e njerëzve në mënyrë të paligjshme, duke thënë: “Pastaj ndodhin vrasje, trafik droge, dhe lloj-lloj problemesh. Vendet e tjera dërgojnë tek ju ata që nuk i duan, dhe tek ne gjithashtu – dhe kjo duhet ndalur.”