Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin do të takohen më 15 gusht në Alaskë për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë. Kremlini e quajti vendndodhjen “logjike” për shkak të afërsisë me Rusinë, ndërsa nga Kievi nuk ka reagim.
Datën e takimit e ka konfirmuar edhe vetë Trumpi përmes rrjeteve sociale.
Takimi vjen pasi Trumpi tha se Ukraina mund të detyrohet të heqë dorë nga një pjesë e territorit për t’i dhënë fund luftës. Sipas mediave amerikane, një plan i mundshëm do t’i jepte Rusisë Donbasin dhe Krimenë, ndërsa ajo do të hiqte dorë nga Khersoni dhe Zaporizhia, raporton BBC.
Propozimi është i ngjashëm me një ofertë që Putin ia ka paraqitur së fundmi të dërguarit të Trumpit në Moskë. Ende nuk dihet nëse Ukraina dhe aleatët evropianë do ta pranojnë, pasi presidenti Volodymyr Zelensky ka refuzuar çdo dorëzim territori.
Aktualisht Rusia kontrollon rreth 20% të Ukrainës, ndërsa luftimet vazhdojnë pa një përparim vendimtar nga asnjëra palë.