Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit pritet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që mund t’i japë fund konfliktit të gjatë prej dekadash.
Kjo pritet të ndodhë më 8 gusht, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, kur presidenti amerikan, Donald Trump, të mirëpresë udhëheqësit e dy vendeve.
Kryeministri armen, Nikol Pashinian, dhe presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, do të nënshkruajnë gjithashtu marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të “ndjekur së bashku mundësitë ekonomike, në mënyrë që të shfrytëzojmë plotësisht potencialin e rajonit të Kaukazit të Jugut”, tha Trump në platformën Truth Social më 7 gusht.
“Shumë liderë kanë provuar t’i japin fund luftës, pa sukses, deri më tani”, shkroi ai, duke shtuar se do të letë “një ceremoni zyrtare” për nënshkrimin e marrëveshjes së paqes.
Sipas zyrës së tij për media, Pashinian ndodhet tashmë në Uashington dhe më 7 gusht vizitoi Muzeun e Biblës.
Shërbimi për media më 6 gusht bëri të ditur se Pashiniani do të vizitonte Shtetet e Bashkuara, ku do të zhvillonte një takim dypalësh me Trumpin dhe një takim trepalësh me Trumpin dhe Aliyevin “për të promovuar paqen, prosperitetin dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon”.
Megjithatë, deri në postimet e Trumpit në rrjetet sociale më 7 gusht, nuk kishte deklarata përfundimtare nga asnjë prej tre qeverive nëse do të nënshkruhej një marrëveshje paqeje.
Marrëveshjet ekonomike mund të mundësojnë rihapjen e një korridori strategjik transporti në Kaukazin e Jugut, i cili ka qenë i mbyllur që nga fillimi i viteve ’90.
Sipas zyrtarëve amerikanë, që kanë folur për mediat në kushte anonimiteti, marrëveshjet do t’i jepnin Shteteve të Bashkuara të drejtën e qirasë për zhvillimin e korridorit të Zangezurit dhe do ta emërtonin atë “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar” (TRIPP).
Ky korridor do të lidhte Azerbajxhanin me rajonin e tij të Nakhçivanit, i cili është i ndarë nga pjesa tjetër e vendit, dhe do të përfshinte në të ardhmen një linjë hekurudhore, tubacione për naftë dhe gaz, si dhe linja me fibra optike, duke mundësuar qarkullimin e mallrave dhe më vonë edhe të njerëzve.
Marrëveshja nuk parashikon që Shtetet e Bashkuara të financojnë ndërtimin e korridorit të tranzitit, por u bën thirrje korporatave private ta zhvillojnë atë. Ajo u arrit pas një vizite të të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në Baku më herët gjatë këtij viti dhe pas vazhdimit të bisedimeve mes palëve.
Përmirësimi i raporteve pas luftës
Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra të mëdha për rajonin e njohur si Nagorno-Karabak që nga shpallja e pavarësisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991.
Dy shtetet e Kaukazit Jugor kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve që nga konflikti i fundit i armatosur më 2020 dhe eksodi që pasoi i popullsisë etnike armene nga rajoni i kontestuar, të cilin zyrtarët në Jerevan tashmë e njohin si territor sovran të Azerbajxhanit.
Megjithëse për finalizimin e tekstit të marrëveshjes së paqes u njoftua në mars dhe u përshëndet ndërkombëtarisht pas vite negociatash dypalëshe, dokumenti ende nuk është nënshkruar.
Azerbajxhani ka kushtëzuar vazhdimisht nënshkrimin e saj me heqjen nga Kushtetuta e Armenisë të një reference për Deklaratën e Pavarësisë së vitit 1990, e cila i referohet një akti të bashkimit të miratuar më 1989 nga organet legjislative të Armenisë sovjetike dhe të Nagorno-Karabakut.
Po ashtu, Bakuja kërkon që Armenia të pranojë shpërbërjen e Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) – i vetmi mekanizëm ndërmjetësues ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia, që për dekada ka kërkuar që të negociohet një zgjidhje për konfliktin në Nagorno-Karabak.
Armenia është pajtuar për dy kërkesat, megjithëse ka theksuar se si çështje parimore, miratimi i një kushtetute të re në vitet në vijim duhet të jetë një çështje e brendshme e Armenisë. Po ashtu, ajo ka propozuar që kërkesa e përbashkët për shpërbërjen e Grupit të Minskut drejtuar OSBE-së të ndodhë njëkohësisht me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes.
Çështjet kufitare
Në një tjetër arritje diplomatike, që u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar, Armenia dhe Azerbajxhani realizuan për herë të parë delimitimin dhe demarkimin e një segmenti prej 13 kilometrash të kufirit të tyre verior gjatë vitit 2024.
Si rezultat i kësaj, ushtria armene u tërhoq nga katër fshatra të pabanuara që kishin qenë pjesë e Azerbajxhanit sovjetik përpara se të shpërthente lufta mes dy vendeve në fillim të viteve ’90.
Të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë procesin e delimitimit dhe demarkimit të kufirit, por gjatë vitit të fundit nuk është shënuar asnjë përparim në pjesë të tjera të kufirit – teksa Armenia pretendon se Azerbajxhani vazhdon të okupojë më shumë se 200 kilometra katrorë të territorit të saj.
Opozita armene e ka dënuar demarkimin e diskutueshëm të kufirit dhe hapat e mëtejshëm diplomatikë të ndërmarrë nga Jerevani, duke i cilësuar si “dorëzim” dhe ka kërkuar dorëheqjen e Pashinianit. Megjithatë, protestat dhe tubimet e vazhdueshme të opozitës, në të cilat morën pjesë mijëra qytetarë në maj dhe qershor të vitit 2024, përfundimisht u ndërprenë, ndërsa kryeministri armen ka deklaruar se përpjekjet e Qeverisë së tij për një paqe të qëndrueshme me Azerbajxhanin gëzojnë ende një mbështetje të gjerë të publikut.
Korridori Zangezur
Një tjetër aspekt i ndjeshëm i negociatave mes Armenisë dhe Azerbajxhanit ka qenë edhe i ashtuquajturi Korridori Zangezur.
Sipas një prej neneve të marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020, të ndërmjetësuar nga Moska – e cila i dha fund luftës së përgjakshme 44-ditëshe në Nagorno-Karabak – Armenia duhet të garantojë “sigurinë e lidhjeve të transportit” mes territorit kryesor të Azerbajxhanit dhe eksklavës së tij perëndimore, Nahçivanit, duke siguruar “lëvizjen e papenguar të qytetarëve, automjeteve dhe mallrave në të dy drejtimet”.
Armenia, e cila ka qenë e bllokuar nga Azerbajxhani dhe Turqia për gati 40 vjet në aspektin tokësor, ka insistuar vazhdimisht që çdo rrugë transiti duhet të jetë pjesë e një procesi më të gjerë të zhbllokimit rajonal dhe duhet të respektojë sovranitetin, juridiksionin dhe integritetin territorial të Armenisë. Zyrtarët në Jerevan e kanë kundërshtuar idenë dhe madje edhe narrativin e një korridori ekstraterritorial, duke e cilësuar si një pretendim të fshehtë territorial nga ana e Azerbajxhanit.
Të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë procesin e delimitimit dhe demarkimit të kufirit, por gjatë vitit të fundit nuk është shënuar asnjë përparim në pjesë të tjera të kufirit – teksa Armenia pretendon se Azerbajxhani vazhdon të okupojë më shumë se 200 kilometra katrorë të territorit të saj.
Opozita armene e ka dënuar demarkimin e diskutueshëm të kufirit dhe hapat e mëtejshëm diplomatikë të ndërmarrë nga Jerevani, duke i cilësuar si “dorëzim” dhe ka kërkuar dorëheqjen e Pashinianit. Megjithatë, protestat dhe tubimet e vazhdueshme të opozitës, në të cilat morën pjesë mijëra qytetarë në maj dhe qershor të vitit 2024, përfundimisht u ndërprenë, ndërsa kryeministri armen ka deklaruar se përpjekjet e Qeverisë së tij për një paqe të qëndrueshme me Azerbajxhanin gëzojnë ende një mbështetje të gjerë të publikut.
Korridori Zangezur
Një tjetër aspekt i ndjeshëm i negociatave mes Armenisë dhe Azerbajxhanit ka qenë edhe i ashtuquajturi Korridori Zangezur.
Sipas një prej neneve të marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020, të ndërmjetësuar nga Moska – e cila i dha fund luftës së përgjakshme 44-ditëshe në Nagorno-Karabak – Armenia duhet të garantojë “sigurinë e lidhjeve të transportit” mes territorit kryesor të Azerbajxhanit dhe eksklavës së tij perëndimore, Nahçivanit, duke siguruar “lëvizjen e papenguar të qytetarëve, automjeteve dhe mallrave në të dy drejtimet”.
Armenia, e cila ka qenë e bllokuar nga Azerbajxhani dhe Turqia për gati 40 vjet në aspektin tokësor, ka insistuar vazhdimisht që çdo rrugë transiti duhet të jetë pjesë e një procesi më të gjerë të zhbllokimit rajonal dhe duhet të respektojë sovranitetin, juridiksionin dhe integritetin territorial të Armenisë. Zyrtarët në Jerevan e kanë kundërshtuar idenë dhe madje edhe narrativin e një korridori ekstraterritorial, duke e cilësuar si një pretendim të fshehtë territorial nga ana e Azerbajxhanit. REL