Ish-presidenti Hashim Thaçi ka përfunduar vizitën te babai i tij i sëmurë i cili ndodhet në QKUK.
Thaçi ka arritur paraditen e sotme në Kosovë me leje të përkohshme nga Gjykata Speciale në Hagë.
Për “arsye bindëse humanitare”, Dhomat e Specializuara në Hagë kishin lejuar Hashim Thaçin të vizitonte babain e tij i cili ka disa javë, që për shkak të gjendjes shëndetësore është i shtrirë në QKUK.
“Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues dhe Gjykatësja e Procedurës Paraprake kanë udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikqyrje në Kosovë të Hashim Thaçit për ta takuar babain e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara”, tha zëdhënësi Michael Doyle.
Siç raportoi Paparaci, vizita e Thaçit deri më sot ishte mbajtur krejtësisht fshehtë nga gjykata për shkak se, sipas Prokurorisë, Thaçi ka ndikim të madh politik në Kosovë.