Të paktën 59 persona të vdekur si pasojë e zjarrit në një klub nate në Maqedoninë e Veriut

Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 1.500 pjesëmarrës në një klub nate, kanë bërë të ditur autoritetet maqedonase.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Mbi 155 persona është raportuar të jenë plagosur – mbi 80 prej tyre janë transferuar në klinikat e Shkupit, qytet rreth 100 kilometra larg Koçanit.

Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN.

Ai ka bërë të ditur se janë lëshuar katër urdhër-arrestime, pa dhënë më shumë hollësi.

Toshkovski ka thënë më herët gjatë ditës se një person është arrestuar, ndërsa agjencia e lajmeve MIA ka raportuar se pronari i klubit është ndaluar.

“Në momentin e shpërthimit të fishekzjarrit, lënda duket se ka prekur tavanin, i cili është ndërtuar me material të ndezshëm dhe brenda një kohe të shkurtër është përhapur në gjithë diskotekën dhe është krijuar tym i rëndë. Brenda një kohe të shkurtër kanë arritur zjarrfikësit nga qytetet e afërta, ndërsa helikopterët e Ministrisë së Brendshme janë angazhuar për t’i transportuar të plagosurit në klinikat në Shkup”, ka thënë Toshkovski.

Ai ka thënë se nëpër spitale ka të vdekur që duhet të identifikohen përmes autopsisë.

“Me këtë rast, dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë tragjedi”, ka thënë ministri.

Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski ka thënë përmes një postimi në Facebook se Qeveria është “plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për t’u përballur me pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë”.

Ai ka thënë e diela është “ditë e vështirë dhe shumë e rëndë” për shtetin, i cili ka humbur kaq shumë të rinj.

Të plagosurit janë dërguar nëpër spitale të ndryshme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka thënë se të gjitha autoritetet shëndetësore janë mobilizuar edhe disa të plagosur që fillimisht janë dërguar në Shtip, tani janë duke u transportuar në spitalin e Shkupit, Shën Naum Ohridski.

“Po kujdesemi për të gjithë, po punojmë me të gjitha kapacitetet për të shpëtuar sa më shumë jetë që është e mundshme. Nuk do të spekuloja sa janë në gjendje kritike, por do të shkoj te Separtamenti i Kirurgjisë për të marrë informacion të hollësishëm”, ka thënë Taravari.

Ai e ka përmendur se ka biseduar me drejtorin e Departamentit për transfuzion të gjakut dhe që aktualisht nuk ka nevojë për gjak.

Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.

“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, Kryqi i Kuq është duke bërë përpiluar listën për të përcaktuar identitetet e të vdekurve. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *