Taulant Hodaj kritikon FFK-në dhe njofton dorëheqjen

Avokati dhe përfaqësuesi ligjor i Federatës së Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj, ka njoftuar sot se ka përfunduar bashkëpunimin me këtë institucion të futbollit kosovar.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hodaj ka shprehur keqardhjen për këtë vendim, duke shtuar se ai erdhi si rezultat i disa praktikave të përsëritura të FFK-së, që, sipas tij, ishin në kundërshtim me parimet e tij profesionale.

Një nga çështjet kryesore që ai përmendi ishte mënyra se si FFK ka trajtuar përfaqësimin e Kosovës në çështjen që ka të bëjë me Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) kundër Rumanisë. Hodaj e konsideron këtë qasje si një pengesë që mund të dëmtojë mundësitë e Kosovës për të fituar rastin dhe për të mbrojtur të drejtat e futbollistëve dhe ekipit kombëtar.

“Besoj se kjo qasje e FFK-së mund të dëmtojë mundësitë e Kosovës për të fituar rastin dhe për të mbrojtur të drejtat dhe reputacionin e futbollistëve dhe ekipit kombëtar,” tha Hodaj.

Megjithatë, ai theksoi se do të vazhdojë të mbështesë futbollistët, klubet dhe lojtarët e Kombëtares së Kosovës, duke e ruajtur rolin e tij si avokat dhe ekspert ligjor.

“Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm në futboll – lojtarë të talentuar, klube të angazhuara dhe një staf brenda FFK-së që punon me pasion. Ka qenë një nder dhe kënaqësi të bashkëpunoj me ta,” shtoi ai.

Në fund, Hodaj shprehu shpresën që Federata e Futbollit të Kosovës të vazhdojë të rritet dhe të forcojë kapacitetet e saj, për të arritur sukseset që futbolli kosovar meriton në skenën ndërkombëtare.