Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Me këtë hap, Supremja i ka hapur rrugën certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar ndaj vendimit të supremes. “Gjykata Supreme sot ka marrë vendim që të hedh poshtë ankesën tonë në lidhje me procesin e votimin përmes postës. Pra, jemi në kohën kur Prokuroria fillon hetimet në lidhje me dyshimet e bazuara për këtë proces dhe Supremja që hedh poshtë ankesën mbi këto.”
Sallahu thotë se kanë informacione që diskutimi përgjatë vendimit ka qenë “kryekëput politik dhe larg të qenit juridik e ligjor”.
“Kemi informacione nga brenda se diskutimi përgjatë vendimit në Supreme ka qenë kryekëput politik dhe larg të qenit juridik e ligjor gjë që tregon pak a shumë për natyrën e vendimit. Por, si Lëvizje VETËVENDOSJE! do të ndjekim të gjitha hallkat ligjore në mënyrë që të sjellim drejtësi për këtë skemë krimi e manipulimi.”
Ai ka thënë se do të parashtrojnë kërkesë për vlerësim të kushtetueshmërisë së vendimit të Supremes në Kushtetuese. Sallahu ka shtuar se do të kërkojnë masë të përkohshme ndaj këtij vendimi.




