Spiuni i dyshuar rus synon post të lartë sigurie në Serbi dhe Azi Qendrore

Një diplomat rus, i tërhequr nga Brukseli mes një spastrimi të spiunëve nga autoritetet belge, është nominuar për të drejtuar misionin në Beograd të organit më të madh të sigurisë në Evropë, sipas një hetimi të përbashkët të Radios Evropa e Lirë dhe disa mediave evropiane.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Moska ka nominuar Dmitry Iordanidin, ish-zëvendësshef i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnjë e Hercegovinë, me një përvojë të gjerë në Ballkan, për të drejtuar misionin e organizatës në Serbi, sipas dokumenteve të brendshme të OSBE-së të siguruara nga REL-i.

Kandidatura e tij u bë mes akuzave në rritje nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë evropianevitet e fundit për aktivitete “të dëmshme” ruse në rajonin e mbuluar nga organizata rajonale e sigurisë me 57 shtete, me seli në Vjenë.

Iordanidi, 55 vjeç, është një nga 20 diplomatët rusë që u larguan në heshtje nga Brukseli në vitin 2023 për shkak të akuzave nga Shërbimi belg i Sigurisë Shtetërore (VSSE) se ishin spiunë që vepronin nën mbulesë, sipas një liste të përpiluar nga inteligjenca belge dhe të vërtetuar në mënyrë të pavarur nga tri burime të inteligjencës perëndimore, sipas hetimit të përbashkët të REL-it, faqes së lajmeve EUobserver me bazë në Bruksel, gazetës belge De Morgen, revistës javore belge Humo dhe gazetës franceze Le Monde.

Një burim nga institucionet e inteligjencës e quajti këtë tërheqje të spiunëve si një “rast për të zbrazur sirtarin tonë” pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë që qeveria belge nuk publikon lista të diplomatëve të akredituar në vend dhe misioni diplomatik rus në Bruksel nuk publikon emrat e personelit të tij, REL-i verifikoi në mënyrë të pavarur praninë e disa prej diplomatëve të dëbuar rusë në Belgjikë në vitin 2023.

Diplomatët rusë, të cilët nuk janë identifikuar publikisht deri më tani, ishin të lidhur në listë me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) ose drejtorinë e saj të inteligjencës ushtarake, të njohur si GRU.

Iordanidi, të cilin lista e inteligjencës belge e identifikon si të lidhur me SVR-në, është i vetmi diplomat mes 20 të dëbuarve që nuk u shpall persona non grata, sipas një burimi të inteligjencës. Burimi tha se Rusia e tërhoqi Iordanidin pasi Belgjika komunikoi se ai do të shpallej persona non grata nëse Moska nuk do ta tërhiqte atë.

Tani, Moska po përpiqet ta rikthejë Iordanidin në OSBE, organizatën shumëpalëshe me bazë në Vjenë që, deri në pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, kishte luajtur një rol qendror në monitorimin e agresionit rus në Ukrainë dhe përpjekjet për të ndërmjetësuar mes Moskës dhe Kievit.

Iordanidi u listua si një nga tetë kandidatët për kreun e misionit të OSBE-së në Serbi pas afatit të aplikimeve më 1 dhjetor 2024, sipas dokumentit të siguruar nga REL-i.

Rusia e ka nominuar atë edhe për të drejtuar një zyrë të programit të OSBE-së në kryeqytetin e Kirgistanit, Bishkek, si dhe për të njëjtin pozicion në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.

OSBE-ja tha në një deklaratë të dërguar me email se rekrutimi për të tri këto pozicione është ende në vazhdim dhe se nuk mund të komentojë mbi çështjen, duke u thirrur në konfidencialitet.

Pozicionet caktohen nga kryesuesi i OSBE-së – pozitë kjo që aktualisht e mban ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen – në konsultim me zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të lartë të OSBE-së, si dhe vendet pritëse të misioneve përkatëse, tha zëdhënësja e OSBE-së, Alexandra Taylor.

“Ne ndjekim një proces të rreptë rekrutimi për të gjitha pozicionet tona në OSBE”, tha Taylor.

Zyrtarët dhe qeveritë perëndimore kanë akuzuar Moskën për veprime sabotazhi ndaj OSBE-sëdhe për abuzim të politikave konsensuale të organizatës, përfshirë në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë – që tani është bërë konflikti më i madh dhe më i përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Rusia ka kritikuar OSBE-në duke pretenduar se ajo “po reformohet për t’u kthyer në një shtojcë të NATO-s dhe BE-së”.

Pas hetimeve të REL-it mbi ndikimin e dyshuar të inteligjencës ruse në OSBE, Asambleja Parlamentare e organizatës, e cila lehtëson dialogun mes shteteve anëtare, i bëri thirrje udhëheqjes së OSBE-së “të nisë diskutime dhe kontrolle të sigurisë për të çliruar organizatën nga ndikimi shkatërrues rus”.

Rusia më parë ka vendosur diplomatët e saj të dëbuar nga shtetet e BE-së për spiunazh në ambasadën e saj në Serbi, ku presidenti Aleksandar Vuçiq ka tentuar të ruajë marrëdhëniet tradicionalisht të forta të Beogradit me Rusinë, sipas një hetimi të marsit 2023 nga REL-i.

As Iordanidi dhe as Ambasada ruse në Bruksel nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. VSSE-ja, gjithashtu, nuk u përgjigj.

Udhëtimet ballkanike

Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, qindra diplomatë rusë u dëbuan nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e BE-së, përfshirë ata të vendosur në misionin diplomatik të Rusisë në Belgjikë dhe në BE, në Bruksel.

Ndër ta ishte Aleksandr Studenikin, i cili u dëbua nga BE-ja për “veprime të paligjshme dhe destabilizuese”, por u rishfaq si vëzhgues zgjedhor i OSBE-së për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të dhjetorit 2023 në Serbi, sipas një hetimi të REL-it.

Prania publike e Iordanidit në kryeqytetin belg ishte jo shumë domethënëse, megjithëse duket se ai mbërriti aty në një moment gjatë vitit 2023, në një shkëputje gjeografike nga një karrierë diplomatike e përqendruar kryesisht në Ballkan.

Të dhënat publike tregojnë se, që nga viti 2009, ai shërbente si sekretari i parë politik në Ambasadën e Rusisë në Sarajevë dhe, disa vite më vonë, si kreu i zyrës së OSBE-së në Banjallukë, qendrën administrative të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republikës Sërpska.

Në maj të vitit 2013, Iordanidi ishte ulur mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, gjatë një takimi me presidentin e atëhershëm serb, Tomislav Nikoliq, në rezidencën verore të Putinit në qytetin jugor të Soçit. Vuçiq, në atë kohë ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër i parë i Serbisë, ishte gjithashtu i pranishëm.

Më vonë, Iordanidi u bë zëvendësshef i Misionit të OSBE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Sarajevë, dhe duket se e ka lënë këtë post diku nga fundi i vitit 2022 ose fillimi i vitit 2023.

Një burim brenda OSBE-së, që foli në kushte anonimiteti, kujtoi se Iordanidi ishte larguar nga Sarajeva për në Belgjikë, dhe një nga burimet e inteligjencës të kontaktuara për këtë raport tha se ai mbërriti në vitin 2023 dhe u largua nën presion po atë vit.

Gazetarët nuk arritën të gjenin ndonjë dëshmi të vendosjes së Iordanidit në Ambasadën e Rusisë në Bruksel gjatë qëndrimit të tij të shkurtër atje, në një kontrast të fortë me kohën e tij në OSBE në Bosnjë e Hercegovinë, ku ai jepte intervista të shpeshta dhe bënte paraqitje publike.

Shumë nga puna e tij publike e mëparshme me OSBE-në në Ballkan lidhej me çështje mjedisore dhe promovimin e lirive civile.

Të dhënat e qeverisë ruse që kanë rrjedhur – si të dhënat e rezidencës, automjeteve dhe taksave – të shqyrtuara nga REL-i, nuk pasqyrojnë ndonjë lidhje të qartë në letër mes Iordanidit dhe inteligjencës ruse. Megjithatë, ato tregojnë lidhje për rusë të tjerë që u përfshinë në spastrimet belge të spiunëve, në të cilat u përfshi edhe Iordanidi. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *