SPAK godet grupin që transferonte para nga Zvicra në Shqipëri

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me autoritetet zvicerane, ka goditur një grup të dyshuar si të përfshirë në trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave përmes sistemit informal të transfertave “Hawala”.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Tre persona janë vënë nën hetim për organizimin e këtij rrjeti: dy prej tyre, B.F dhe P.K, janë arrestuar në Tiranë, ndërsa i treti, E.F, aktualisht ndodhet në burg në Zvicër.

Sipas njoftimit të SPAK, hetimet kanë zbuluar se grupi përdorte sistemin “Hawala” për të transferuar shuma të mëdha parash me origjinë të dyshuar kriminale nga Zvicra në Shqipëri, duke shmangur kontrollet ligjore dhe regjistrimet bankare.

Ky mekanizëm i ka mundësuar rrjetit të kryente qindra transaksione me vlera që arrijnë në miliona euro, për një periudhë disa vjeçare, që prej vitit 2020 e deri më sot.

Personat që dëshironin të transferonin paratë me origjinë kriminale i dorëzonin ato bashkëpunëtorëve të grupit në Zvicër, duke informuar për pritësit e shumave në Tiranë.

Në këtë mënyrë, transferimi bëhej i menjëhershëm pa nevojën e transportit fizik të parave, duke e bërë të pamundur për agjencitë ligjzbatuese regjistrimin, identifikimin e palëve dhe verifikimin e burimit të parave.

Për të fshehur qëllimin kriminal, grupi ka përdorur zyra këmbimi valutor, agjenci turistike dhe zyrat e transfertës së parave. ndërsa personat e përfshirë merrnin si fitim 6% të shumës së transferuar.

Përveç pastrimit të parave, hetimet kanë evidentuar edhe aktivitetin e tregtimit të lëndëve narkotike nga ky grup në disa kantone të Zvicrës, ku përdornin shpërndarës lokalë dhe menaxhonin furnizimin e drogës.

Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për të tre personat e dyshuar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e mëtejshme të veprimtarisë kriminale dhe të përfshirjes së personave të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *