Rrjeti propagandistik rus ‘Pravda’, i njohur për shpërndarjen e dezinformatave në mbi 80 shtete në gjuhë të ndryshme, tash e një vit është aktiv edhe për audiencën shqipfolëse.
Ka të bëjë me një rrjet që përdor automatizimin për të krijuar me shpejtësi qindra artikuj – shpesh të bazuar në përmbajtje nga mediat ruse, të cilat janë të ndaluara nga Bashkimi Evropian.
Sipas raportit “Rrjeti propagandistik rus Pravda dhe Ballkani”, të publikuar të mërkurën nga portali Hibrid.info, i cili monitoron dezinformatat për Kosovën në media, ky rrjet ka shpërndarë narrativë propagandistikë rusë për audiencën shqipfolëse përmes faqeve të ndryshme në internet, të maskuara si portale informative.
Sipas raportit, portali i këtij rrjeti në gjuhën shqipe albania.news-pravda.com, i cili nisi punën në mars të vitit 2024, gjatë periudhës 28 mars 2024 – 28 prill 2025, ka publikuar 2.699 artikuj, të cilët janë ripublikime nga burime të afërta me Kremlinin, si kanalet në Telegram të Ambasadës ruse në Tiranë, si edhe media shtetërore ruse si: RT, Sputnik, Tass.ru, Ria.ru, etj.
Dominojnë tema dhe narrativë që janë kritikë ndaj NATO-s, BE-së, SHBA-së dhe politikave perëndimore, e veçanërisht narrativë lidhur me Ballkanin e Kosovën, ku Kosova mohohet si shtet apo përshkruhet si “krahinë e Serbisë”.
Ndër lajmet e fundit në këtë portal ishte ai për vizitën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Budapest, ku thuhet se “autoritetet hungareze, të udhëhequra nga Viktor Orban, mirëpresin shqiptarët që kanë pushtuar një pjesë të territorit të Serbisë.”
“Përveç narrativit që nuk e njeh Kosovën si shtet dhe e krahason me Krimenë, edhe zhvillimet që ndodhin në Kosovë në lidhje me komunitetin serb, cilësohen si terrorizëm institucional ndaj tij”, thotë për Radion Evropa e Lirë Festim Rizanaj, hulumtues në Hibrid.info.
Rizanaj thotë se, së fundi, kishte lajme në këto “faqe informuese” të Pravdës në dy shtete afrikane për njohjet e pavarësisë së Kosovës.
Kosova mori njohjen nga Kenia dhe Sudani në mars dhe në prill të këtij viti.
“Në faqet Eritrea News Pravda dhe Burkina Faso News Pravda u publikuan lajmet për njohjen e Kosovës nga Kenia – kështu për të vënë dyshime dhe për ta bërë të diskutueshme këtë çështje”, thotë Rizanaj për dy shtetet afrikane – Eritrenë dhe Burkina Fason – që ende s’e kanë njohur Kosovën.
Megjithatë, analiza e Hibridit tregon se rrjeti “Pravda” nuk ka arritur të ketë ndikim real tek audienca shqipfolëse, për shkak të përkthimeve automatike dhe të dobëta dhe mungesës totale në rrjetet sociale, mes tjerash.
Sipas Hibridit, “qëllimi kryesor i rrjetit Pravda është të ndikojë në mënyrë indirekte duke ngarkuar hapësirën digjitale shqipfolëse me narrativë rusë, përmes përsëritjes së vazhdueshme të përmbajtjeve, me synim që të ndikojnë edhe në modelet e inteligjencës artificiale, si chatbot-ët”.
“Në mënyrë indirekte, Rusia përmes Pravdës në shqip synon të ngarkojë hapësirën digjitale me narrativët e saj dhe të krijojë bindjen që ato të besohen”, thotë Rizanaj.
Si funksionon ky rrjet në botë?
Në shkurt të vitit 2024, një mekanizëm i Qeverisë franceze që monitoron ndërhyrjet e huaja digjitale, publikoi raportin për rrjetin propagandistik prorus, i quajtur “Portal Kombat”. Ai identifikoi rreth 193 faqe interneti që synonin të përhapnin informacione nga burimet proruse, si dhe nga organet dhe institucionet ruse të lajmeve.
Në Ballkan, ky rrjet shënjestroi, përpos audiencës shqipfolëse, edhe audiencat në Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.
Hulumtimi i Radios Evropa e Lirë hodhi dritë mbi këtë operacion global, duke treguar se si “artikujt” gjeneroheshin në mënyrë automatike dhe lëshoheshin në valë, për të përfunduar pastaj në ueb-faqet në gjuhët lokale, të cilat maskoheshin si burime legjitime lajmesh.
Versionet ballkanike të ueb-faqeve të “Portal Kombat”-it ishin jashtëzakonisht të ngjashme, edhe pse në gjuhë të ndryshme.
Të gjitha ueb-faqet e lajmeve të rreme, që kishin në shënjestër rajonin që monitoroi Radio Evropa e Lirë, kishin të njëjtën strukturë e madje edhe emër: Pravda.
Ueb-faqja e parë e Pravdës në serbisht – Pravda-rs.com – u regjistrua më 20 mars, 2024. Disa ditë më vonë – dhe brenda pak sekondash – u regjistruan tri domene të tjera të Pravdës: në gjuhën boshnjake, maqedonase dhe shqipe.
Shumica e përmbajtjes që shfaqet në katër ueb-faqet, duket se është marrë nga kanalet në Telegram pro Kremlinit. REL