Shtyhet dëgjimi i Zllatan Ellekut, hetimet ndaj Listës Serbe vazhdojnë

Dëgjimi i kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek, para Prokurorisë Speciale në Prishtinë, që ishte caktuar për 18 qershor, është shtyrë, pasi avokati i tij është sëmurë.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Ndaj Ellekut dhe disa zyrtarëve të tjerë të kësaj partie po zhvillohen hetime, pasi dyshohet se kanë minuar rendin kushtetues të Kosovës dhe kanë marrë pjesë në protestat dhe ngritjen e barrikadave në veri të vendit, në vitin 2022.

Në fillim të muajit qershor, zyrtari i lartë i Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi se ai vetë, së bashku me Ellekun dhe Sllavko Simiqin – të tre deputetë aktualë në Kuvendin e Kosovës – janë nën hetime për përfshirje në sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe për vepra të tjera penale që lidhen me protestat e dhjetorit 2022.

Simiq tha se, përveç tyre, edhe rreth 40 anëtarë të komunitetit serb kanë marrë thirrje të njëjta ose të ngjashme, të cilat lidhen me “protestat paqësore në veri të Kosovës, në dhjetor të vitit 2022”.

Më 10 dhjetor të vitit 2022, në veri të Kosovës u ngritën barrikada për shkak të arrestimit të Dejan Pantiqit, një ish-zyrtar i policisë, të cilin autoritetet e Kosovës e akuzuan për pjesëmarrje në sulmin ndaj ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

Ato barrikada u hoqën më 29 dhjetor, pas thirrjes së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe pasi Pantiq u dërgua në arrest shtëpiak.

Përndryshe, barrikadat pasuan një sërë incidentesh dhe tensionesh të shtuara, pasi serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri në fillim të nëntorit, 2022, me iniciativën e Listës Serbe.

Kjo e fundit kundërshtoi atëkohë vendimin e Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave serbe të makinave me targa të Republikës së Kosovës. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *