Shoqërohet në polici një person i dyshuar për falsifikim të parasë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shoqëruar në polici një person të dyshuar për falsifikim të parasë në Kaçanik.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

“Më 24.04.2025, rreth orës 03:50, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik është ndaluar një veturë e tipit Seat me targa vendore, e drejtuar nga i dyshuari B. R., 23 vjeç. Gjatë kontrollit të kryer nga njësitë policore, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar 27 kartëmonedha prej 100 dollarësh, të gjitha me numër serik të njëjtë, të dyshuara si të falsifikuara”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje theksohet se pas intervistimit në stacionin policor në Kaçanik dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti “Falsifikim i parasë”.

“Në vijim të veprimeve hetimore, është realizuar një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Han të Elezit, ku janë gjetur dhe sekuestruar municion i ndryshëm, mjete të mprehta, një boks hekuri, një shkop bejzbolli si dhe një shkrepëse në formë armë. Për këtë është iniciuar rasti i dytë ‘Mbajtje në pronësi, posedim apo kontroll të paautorizuar të armëve’”, thuhet tutje në njoftim.