Serbia arreston dy shqiptarë me pretendimin për krime lufte

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur të enjten se i ka ndaluar dy persona me inicialet X.E dhe B.E në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Në komunikatën e ministrisë nuk është përmendur nacionaliteti i të ndaluarve.

Në të, autoritetet serbe kanë thënë se dyshojnë që më 1999, të ndaluarit e kanë kidnapuar një serb me inicialet J.M në Rahovec, e kanë dërguar në një drejtim të panjohur dhe që prej atëherë nuk dihet asgjë për të.

Ministria serbe ka thënë se i ka ndaluar dy personat për 48 orë dhe më pas ata do të dalin para prokurorit të rastit.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Ky njoftim ka ardhur teksa në periudhën kur autoritetet serbe i kanë shpeshtuar ndalimet e shqiptarëve të cilët i akuzon se kanë bashkëpunuar apo kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ose për arsye tjera.

Më 22 korrik ato e kanë arrestuar Lulzim Halilin, nën dyshimet se ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Organizata e veteranëve të UÇK-së, e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

Më herët gjatë këtij muaji është ndaluar edhe Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Akuza ende nuk është bërë publike.

Autoritetet e Kosovës i kanë konsideruar gjithmonë këto arrestime si arbitrare dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *