Paneli i gjykatës ka konstatuar se Mustafa nuk identifikoi pse dënimi me 15 vjet burgim përbën shkelje të së drejtës penale. Këto kërkesa u dorëzuan në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 10 shtator të vitit të kaluar, në të cilin u shqiptua dënimi i ri për Mustafën.Po ashtu, Supremja refuzoi edhe ankesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për vendimin e Gjykatës së Apelit që uli dënimin e Mustafës.Mustafa u shpall fajtor më 16 dhjetor të vitit 2022 dhe iu shqiptua dënim prej 26 vjetëve burgim. Më 6 prill të vitit 2023, Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë gjithsej prej 207 mijë euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj tetë viktimave në këtë çështje. Mustafa e apeloi vendimin e shkallës së parë dhe dënimin e dhënë nga Trupi Gjykues.
Apeli ia kishte ulur dënimin Mustafës nga 26 vjet në 22 vjet burgim. Ndërkohë Mustafa apeloi edhe në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara e cila e pati anuluar vendimin prej 22 vjetëve burgim dhe e ktheu rastin në rivendosje. E më 10 shtator të vitit të kaluar, Apeli në rivendosje e caktoi dënimin prej 15 vjetëve burgim.