Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në pajtim me Planin Strategjik, në kuadër të fokusit për rritjen e qasjes në financa dhe gjithë-përfshirjen financiare, ka vazhduar angazhimin e saj në pajtim me objektivat ligjore dhe planet e saj, në respektim të legjislacionit dhe akteve tjera rregullative, të cilat kanë fuqizuar integritetin e sistemit financiar, kanë mundësuar njëkohësisht rritjen dhe zgjerimin e qasjes në financa në mbarë vendin, me theks të veçantë në komunat të banuara nga komunitetet.
Në këtë kuptim, rrjeti i institucioneve financiare është zgjeruar, ku zyrat e institucioneve financiare të licencuara në sektorin financiar të vendit në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 janë rritur për 40 njësi.
Sa i përket qasjes në financa në komunat në veri të vendit, nga fundi i vitit 2023, po thuajse është trefishuar numri i institucioneve financiare të cilat janë licencuar për të ushtruar aktivitetin e tyre në katër komunat veriore të vendit, si rezultat i masave të planit të BQK-së për mbështetjen e zgjerimit të qasjes në financa dhe aktiviteteve të përbashkëta me sektorin. Gjithashtu, edukimi financiar ka qenë në fokus të këtyre angazhimeve me efekte pozitive.