Publikimi i këngës “Radio Free Europe” (Radio Evropa e Lirë) në vitin 1981 e prezantoi grupin e rokut, R.E.M., për herë të parë para botës.
Ky hit gjithashtu ia kujtoi botës rolin që luan transmetuesi i financuar nga Shtetet e Bashkuara në ndërtimin e demokracisë në vendet ku shtypi i lirë është i ndaluar, ose ende i paplotë.
Për ta shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit më 3 Maj, grupi ka njoftuar për ripublikimin e veçantë të këngës, për të festuar 75-vjetorin e Radios Evropa e Lirë së shpejti, në një kohë kur po zhvillohet një betejë për ndërprerjen e operacioneve të disa transmetuesve të financuar nga SHBA-ja, çka shihet nga shumëkush si përpjekje për t’i heshtur mediat prodemokracisë.
“Qoftë në muzikë apo liri të medias – censura kudo përbën kërcënim për të vërtetën gjithkund. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, dua t’i përshëndes gazetarët e guximshëm të Radios Evropa e Lirë”, tha Michael Stipe, vokalisti dhe një nga themeluesit e grupit R.E.M.
REL-i, bashkë me transmetues të tjerë të financuar nga qeveria, si Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra për Transmetime në Kubë (Radio Marti) dhe Rrjeti i Transmetuesve në Lindjen e Mesme, janë përballur me kushte të rënda që kur presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që tkurri Agjencinë Amerikane për Median Globale (USAGM).
USAGM është agjenci e pavarur qeveritare që mbikëqyrë REL-in, Zërin e Amerikës dhe transmetues të tjerë të financuar nga SHBA-ja, që së bashku transmetojnë lajme dhe informacione në pothuajse 50 gjuhë për rreth 361 milionë persona në javë.
Pak orë pas publikimit të urdhrit ekzekutiv, USAGM-i bëri të ditur përmes një letre se granti i miratuar nga Kongresi për ta financuar REL-in, me seli në Pragë, Çeki, ishte ndërprerë. REL-i është duke e luftuar në gjykatë këtë vendim. REL