Me fjalën e mbrojtësit të viktimave, Simon Laws, është përmbyllur dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ndaj ish-eprorëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjatë ditës, Prokuroria e Specializuar përfundoi fjalën e saj përmbyllëse, duke pretenduar se Hashim Thaçi kishte mashtruar ndërkombëtarët dhe duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes lidhur me UÇK-në dhe ish-udhëheqësit e saj duhet të vlerësohen me rezervë.
Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e mbajti përfaqësuesi i viktimave, i cili kërkoi që në vendimin e trupit gjykues të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse.
Neser në mëngjes në orën nëntë pritet të nisë fjala përmbyllëse e mbrojtjes së Thaçit.
Laws: Krimet e disa anëtarëve nuk e bëjnë UÇK-në organizatë kriminale
(E plotësuar) Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, deklaroi para Gjykatës Speciale në Hagë se anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime, por kjo nuk e bën UÇK-në organizatë kriminale.
Në fjalën e tij përmbyllëse, Laws tha se ka pasur përpjekje për të fshehur krimet e pretenduara dhe se ekzistojnë dy të vërteta: lufta çlirimtare e UÇK-së dhe krimet e kryera nga disa anëtarë të saj.
“UÇK-ja ka luftuar një luftë çlirimtare dhe shumica e luftëtarëve të saj e kanë bërë këtë. Por, është e vërtetë gjithashtu se disa anëtarë të saj kanë kryer krime,” tha ai.
Ai theksoi se viktimat janë keqtrajtuar dhe se disa prej tyre vazhdojnë të vuajnë pasoja psikologjike edhe sot.
(E plotësuar) Në vazhdimin e seancës, mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se familjarët e viktimave kanë jetuar në pasiguri, pasi disa prej tyre nuk kishin informacion nëse të afërmit e tyre ishin gjallë apo jo.
“Mungesa e informacionit u jepte atyre shpresë,” tha ai.
Duke cituar disa dëshmitarë, Laws tregoi për përjetimet e familjarëve. Ai përmendi dëshminë e një gruaje që humbi bashkëshortin dhe për 25 vjet nuk kishte pasur asnjë provë për vdekjen e tij. “Kjo ka qenë një torturë e vërtetë,” kishte dëshmuar ajo.
Laws foli gjithashtu për vrasjet që pretendohet të jenë kryer nga UÇK-ja, duke thënë se “këto janë vrasje që janë injoruar, mbuluar dhe fshehur. Sigurisht, UÇK-ja ka pasur detyrë të ndërmerrte hapa për hetimin dhe ndjekjen penale të tyre.”
Ai shtoi se disa viktima kanë heshtur për humbjen e të afërmve nga frika se e njëjta gjë mund t’u ndodhte atyre. RTK




