Presidentja Vjosa Osmani e ka mirëpritur vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nëpërmjet vendimit të nënshkruar nga Presidenti Ruto të dërguar zyrtarisht në Presidencë.


“Përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të, dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve. Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejtë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë. Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli”, ka shkruar Osmani duke shtuar se Kosova vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit dhe fuqizimit të pozitës së saj ndërkombëtare.