Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, tha se terrenet sportive nuk duhet të përdoren për të përhapur gjuhë të urrejtjes e fyerje.
Ky reagim i Silanovska-Davkovas vjen pasi më 2 gusht në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë pati thirrje antishqiptare nga tifozët.
Ajo tha se për atë që ndodhi në Kumanovë gjatë fundjavës “turpi bie mbi të gjithë ne”.
Përmes një postimi në Facebook, presidentja maqedonase tha se reagimet e shumta për incidentin gjatë kësaj ngjarjeje sportive, që ishte në kuadër të parakualifikimeve për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, janë të justifikuara.
“Edhe për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, për disa herë, me të drejtë nuk pushojnë reagimet për incidentin e tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me ‘plumba urrejtjeje’ ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë – por, na goditën të gjithëve, edhe veten, dhe jemi të turpëruar”, shkroi ajo.
Silanovska-Davkova kujtoi se në mes të korrikut kishte pasur fyerje raciste ndaj një futbollisti gjatë një ndeshjeje, duke shtuar se tifozët nuk nxorën mësimet e duhura nga kjo ngjarje.
“Loja nuk është betejë për jetë a vdekje, por një përballje kalorësiake drejt një fitoreje të merituar, që publiku pritet ta duartrokasë, ta mbështesë dhe ta inkurajojë – jo të fyejë apo të lëndojë”, tha ajo, duke shtuar se të gjithë duhet të respektojnë kundërshtarin gjatë ndeshjeve.
“Më lejoni të ju kujtoj se turpi nuk bie vetëm mbi ata që lëndojnë me fjalët e tyre, sepse ata prekin jo vetëm ata që janë në sallën sportive, por edhe ata që i dëgjojnë dhe i shohin”, shtoi presidentja maqedonase.
Ajo u bëri thirrje tifozëve të sportit që të shmangin gjuhën e ashpër.
Prokuroria Themelore në Kumanovë ka nisur hetime lidhur me elementet e një vepre të mundshme penale, që lidhet me thirrje që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, pas brohoritjeve antishqiptare të bëra nga persona të panjohur gjatë ndeshjes në Kumanovë.
Për këtë incident hetime ka nisur edhe Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA). Kjo federatë tha më 4 gusht për Radion Evropa e Lirë se dënon pa rezerva dhe me vendosmëri gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë diskriminimi apo gjuhe raciste.
Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në turmën e tifozëve në ndeshjen e fazës së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, janë dëgjuar thirrje si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”. REL