Policia e Kosovës i ka ndaluar 17 persona të shtunën në Gazimestan – rreth dhjetë kilometra larg Prishtina, teksa serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit, e kanë festuar Vidovdanin, festë në të cilën përkujtojnë betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga 17 personat e shoqëruar në stacionin policor për intervstim, katër prej tyre veçse janë liruar.
Në pjesën tjetër, njëri është ndaluar nën dyshimet për veprën penale armëmbajtje pa leje, një tjetri i është shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje, dhe 11 të tjerë janë në procedurë të intervistimit.
Policia ka thënë se këta persona janë shoqëruar në stacionin policor pasi kanë provokuar masën, “duke kryer nxitje të urrejtjes dhe posedonin veshje me përmbajtje provokuese e nxitëse, në kundërshtim me dispozitat ligjore”.
Personat e ndaluar janë dëgjuar duke kënduar këngë për Kosovën dhe duke bërtitur “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Kosova është Serbi”.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – i ka dënuar ashpër këto ndalime.
Vidovdani festohet tradicionalisht edhe nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila kryen edhe rit fetar, si shenjë përkujtimi për ushtarët e vrarë në atë që njihet si Beteja e Kosovës.
Në hapësirat ku është mbajtur organizimi ka pasur prezencë të madhe policore, përfshirë pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Të pranishëm kanë qenë edhe pjesëtarë të Inspektoratit të Policisë së Kosovës. REl