Policia mbledh informacione për keqpërdorime të mundshme të votave në Mitrovicë të Jugut

Policia e Kosovës ka nisur që të mbledhë informacione lidhur me keqpërdorimet e mundshme të votave në komunën e Mitrovicës së Jugut, thanë nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

“Policia është duke grumbulluar informacione lidhur me pretendimet për keqpërdorim të votave në këtë lokacion”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.

Njoftimi vjen dy ditë pasi Kosova organizoi rundin e parë të zgjedhjeve lokale. Sipas rezultateve preliminare, kjo komunë do të shkojë në balotazh.

Diferenca në vota mes dy kandidatëve të parë për kryetarë komune, Arian Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje, është shumë e vogël.

Për këtë komunë ka pasur dallime mes sondazheve fillestare, të publikuara menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatit preliminar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Prandaj, më pas në opinion janë shfaqur pretendime për keqpërdorime të mundshme të votave.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili njëherësh është kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, një ditë pas zgjedhjeve ftoi organet e drejtësisë që të nisin hetime lidhur me exit poll-et e publikuara për zgjedhjet.

Mirëpo, Kurti u kritikua nga pjesëtarë të shoqërisë civile për këtë deklaratë.

Këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, shkroi në Facebook se është “i pasaktë” deklarimi i Kurtit se publikimi i sondazheve ishte ndërhyrje në procesin zgjedhor, duke argumentuar se ato u publikuan pas përfundimit të votimeve.

Kusari u bëri thirrje organeve të ndjekjes që “të qëndrojnë sa më larg idesë të hetimit të raportimeve dhe kompanive që bëjnë exit poll-e”. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *