Ministrja në detyrë e ministrisë së Tregtisë, Rozeta Hajdari ka përfundur intervistimin në Prokurorinë Speciale. Para mediave ajo nuk ka treguar se në çfarë cilësie është intervistuar, por Prokuroria ka lëshuar një komunikatë përmes së cilës ka konfirmuar se Hajdari është intervistuar si e pandehur. “Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, njoftoheni se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka thirrur znj. Rozeta Hajdari, që të paraqitet në prokurori për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës, në kuadër të hetimeve për rastin “Rezervat shtetërore”.
Znj.Hajdari është ftuar me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit të këtij rasti penal. Megjithatë, znj.Hajdari e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, sikurse herën e parë kur ishte ftuar në prokurori për këtë çështje”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta. Ajo ka shtuar se
rasti është duke u trajtuar në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.