Osmani: Thirrjet antishqiptare gjatë ndeshjes në Kumanovë të papranueshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj thirrjeve antishqiptare që u dëgjuan gjatë ndeshjes së futbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në Kumanovë.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Ajo i ka cilësuar këto thirrje si “të papranueshme” dhe në kundërshtim me frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të karakterizojë çdo shoqëri demokratike me aspirata drejt Bashkimit Evropian.

Në deklaratën e saj zyrtare, Osmani theksoi se shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, njësoj si çdo komunitet tjetër në rajon.

“Më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtjeje e përjashtuese,” thuhet në deklaratë. Presidentja paralajmëroi se mungesa e një reagimi zyrtar krijon hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe paqen në vend.

Osmani nënvizoi se sporti duhet të shërbejë si mjet për bashkim dhe jo si platformë për përhapjen e ideologjive të urrejtjes që rrezikojnë harmoninë sociale dhe kujtojnë episode të dhimbshme të së kaluarës.

Ajo u bëri thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj organizatorëve dhe personave përgjegjës për nxitjen dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes, duke dënuar çdo formë të saj dhe duke mbrojtur parimet e tolerancës dhe bashkëjetesës.

“Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë,” përfundon deklarata e Presidentes Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *