Kanë kaluar 24 orë që Gjykata Kushtetuese e ka publikuar dispozitivin e aktgjykimit të dytë për ngërçin politik dhe presidentja Vjosa Osmani nuk e ka thënë asnjë fjalë. Shefja e shtetit ka gjetur kohë të merret me marrëveshjen e paqes të arritur mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, por jo edhe me çështjen që është jetike për themelimin e institucione vete reja.
Pas publikimit të aktgjykimit, ka reaguar BE-së dhe ambasadat tjera, duke bërë thirrje për zbatim të tij, ndërsa presidentja Osmani, e cila është garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve, ka zgjedhur heshtjen.
Pikërisht në kohën kur Kosova “vlonte” nga debati i ashpër për aktgjykimin në fjalë, Osmani gjeti kurajon të merret me një çështje krejt periferike.
Pa ia kërkuar askush, ajo ka dhënë qëndrimin e saj për marrëveshjen historike në mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Në llogarinë e saj në X, ajo ka thënë se kjo ujdi është dëshmi e asaj që mund të arrijë një lidership i fortë amerikan.
“Nën udhëheqjen e SHBA-së, bota është më e sigurt, më e fortë dhe më e begatë. Kosova është krenare që qëndron krah për krah me SHBA-në në avancimin e paqes në rajonin tonë dhe në nivel global”, ka shkruar Osmani.
Heshtja e presidentes është parë si e çuditshme edhe nga analisti Afrim Kasolli.
Ai ka bërë me dije se Osmani është dashur të iu bëj thirrje partive politike se si duhet të sillen në raport me këtë aktgjykim.
“E “çuditshme” heshtja “kushtetuese” e presidentes Osmani, qe si institucionaliste dhe garantuese e funksionimit demokratik te shtetit, as qe e ka marrur mundin te pakten te kerkoje nga subjektet politike qe te sillen në pajtim me detyrimet kushtetuese. Apo mbase me kete heshtje po flet me shume se sa qe do te shprehej publikisht?”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Kurse, analisti tjetër, Shkëlzen Maliqi, ka vlerësuar se kjo tregon se presidentja Osmani është në krizë të madhe.
Në profilin e tij në “Facebook”, Maliq ka shkruar se ajo është një “qyqe në krizë”.
“Presidentja, qyqe në krizë!”, ka shkruar Maliqi.
Duket se presidentes Osmani ende nuk i ka kaluar inati me Gjykatën Kushtetuese për lenden e saj, të cilën e ka tërhequr.
Të martën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se e ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar në korrik Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik.
Në një konferencë për media, ajo ka treguar se këtë e ka bërë për shkak se gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban, është caktuar gjyqtar raportues i lendes së saj.
“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare”, ka thënë ajo.
Veprimi i presidentes Osmani është kritikuar ashpër, duke thënë se në këtë mënyrë ka shprehur mosbesim të thellë. Nacionale