Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë.
Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t`i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.
Presidentja Osmani në Forumin e Antalisë, do ta ketë një bashkëbisedim në temën boshte të edicionit të këtij viti për rikthimin e diplomacisë në një botë të fragmentuar. Gjatë punimeve të Forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.