Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor ka dërguar në Presidencë shkresën zyrtare me rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Osmani tanimë ka 30 ditë afat për të thirrur seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një deklarim për gazetarë, Osmani njoftoi se brenda këtij afati ligjor do ta thirrë seancës, por nuk dha datë.
“Për momentin ekipi im ligjor është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitjen e kësaj seance, në mënyrë që kur të thirret seanca të jetë e suksesshme. Pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Gjithçka do bëhet brenda afatit kushtetues. Për momentin nuk mund të jap një datë sepse dua të jem e saktë, por shumë shpejt do ta kemi”, tha ajo.
KQZ dje ka votuar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke i hapur rrugën krijimit të institucioneve të reja.
Pas certifikimit të zgjedhjeve, hapi i parë drejt formimit të institucioneve të reja është mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Gjatë kësaj seance zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, dhe deputetët e rinj bëjnë betimin.
Propozimi për kryetarin e ri i takon partisë së parë në zgjedhje, në këtë rast, Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkaq, partitë më të mëdha politike propozojnë nga një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit.
Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicë të votave. Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre.
“Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”, thuhet në Nenin 12, pika 5 e Rregullores së Kuvendit.
Vetëm pasi të ketë përfunduar seanca konstituive, presidentja mund të vazhdojë me obligimet e saj ligjore për të mandatuar partinë e parë për formimin e Qeverisë së re.
Megjithatë, është në diskrecionin e saj që të mandatojë më pas parti të tjera për të formuar ekzekutivin, nëse partia e parë nuk arrin të marrë mbështetjen e 61 deputetëve në Kuvend për Qeverinë e re.