Osmani: Administrata Trump konfirmoi vazhdimin e programit të MCC-së për Kosovën

Presidentja Vjosa Osmani tha se Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, e ka informuar zyrtarisht se programi i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën do të vazhdojë.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Osmani tha se ky lajm vjen pas takimeve që ajo zhvilloi në Washington, ndërsa tha se programi i MCC ka ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Pas takimeve të shkëlqyeshme në Washington D.C ku diskutuam për rëndësinë e Kompaktit të MCC për Kosovën, jam informuar edhe zyrtarisht nga Zv. Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, se Administrata Trump ka miratuar vazhdimin e këtij programi për Kosovën — një program me ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën! Mirënjohje e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka shkruar ajo.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë amerikane dhe Qeveria e Kosovës kishin lansuar zbatimin e programit kompakt në prill të vitit të kaluar derisa në krye të Administratës amerikane ishte Joe Biden.

Ky program kompakt është i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër dhe për dobinë e tij atëherë kishte folur ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, që kishte thënë se ky program është i vetmi në Europë që ka MCC-ja dhe se është në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh.

Nga kjo vlerë, 202 milionë janë nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera janë kontribut i Qeverisë së Kosovës.

Por, një vit më vonë, në prill të 2025-ës kur në krye të Shtëpisë së Bardhë ishte Donald Trump, Reuters kishte raportuar se Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) që udhëhiqej nga Elon Musk po i jep fund punës së kësaj korporate. Musk nuk është më në krye të DOGE. 

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) është një agjenci për ndihma jashtë vendit e e Shteteve të Bashkuara e themeluar nga Kongresi i SHBA-së në vitin 2004. 

https://www.facebook.com/share/p/19hQtr9CGd/?mibextid=wwXIfr

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *