Gjykata themelore në Prishtinë i ka caktuar 30 ditë paraburgim për Jelena Gjukanoviq, që dyshohet për veprën penale “spiunazh”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse e pandehura lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, mund lehtë të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale. Gjykata po ashtu vlerësoj se nëse e pandehura lihet në liri, e njëjta mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejnë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda”, thuhet në njoftim.
Gjukanoviq u arrestua më 28 shkurt, në rajonin e Mitrovicës nën dyshimin për spiunazh, e cila u ndalua për 48 orë nga prokuroria.
Prokuroria kishte njoftuar se arrestimi është bërë pas hetimeve disamujore.