Në ditën e tretë të dëshmisë në seancën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Naim Maloku foli për njohuritë e tij për rolet e të akuzuarve në luftë dhe pozitën e tij.
“Është vështirë me e kuptuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Është vështirë me e kuptuar një ushtri që ngritët prej një populli të robëruar, në ushtri vullnetare, në ushtri të rregullt. Kjo ka qenë që na ka bë bashkë – qëllimi ynë për çlirimin e Kosovës”, ka deklaruar Maloku duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Rodney Dixon.
Kur u pyet për Mensur Kosumin, ai ka theksuar se nuk e ka ditur që personi në fjalë ka qenë shef i zbulimit.
“Me tregu të drejtën, për pozitën e tij që e ka pasur si shef zbulimi nuk e kam ditë”, ka theksuar Maloku.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, dëshmitari ka theksuar se roli i inspektorit të përgjithshëm nuk ishte përpara dhjetorit të 1998-s kur u bë funksional edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.
“Nga ushtari i parë deri tek i fundit, e tërë struktura e UÇK-së ka qenë vullnetare”, tha Maloku.
Duke folur për Drejtorinë Operative, ai tha se u ngrit nga Bislim Zyrapi në dhjetor të 1998-s dhe para saj nuk kishte ndonjë strukturë të tillë.
Në rolin e tij, dëshmitari tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me Rexhep Selimin në kohën kur u largua nga Shtabi i Përgjithshëm.
“Kur këtë pozitë e zuri zotëri Selimi, nuk kishte anëtarë të tjerë të shtabit të përgjithshëm që nuk kishin njohuri, pra zotëri Selimi ishte njëri prej tyre, nuk kishte formim ushtarak zyrtar?”, pyeti Geoffrey Roberts avokat i Rexhep Selimit.
“Nuk e di a ka pas shërbimin ushtarak të kryer, por zoti avokat në të gjitha ushtritë që janë në luftë, përvoja merret edhe me luftë, edhe ngritja me pozita graduese merret në luftë, edhe ne kemi gjeneralë të luftës, nuk ka kryer shkollë profesionale, por në luftë është bërë gjeneral. Zoti Selimi ka qenë prej ditëve të para në UÇK dhe në bazë të përvojave që ka arritur gjatë veprimtarisë së tij, mund të them që zoti Selimi ka qenë një epror me një përvojë të respektueshme në strukturën e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së”, u përgjigj Maloku.
“Nuk doli kurrë si problem qëndrimi juaj për Rugovën apo jo?, pyeti tutje Rodney Dixon, avokat i Kadri Veselit.
“Rugova nuk ka qenë vetëm lider politik, ai ka qenë lideri shpirtëror i shqiptarëve, unë kam bashkëpunuar me Rugovën dhe ai me mua para se të krijohej LDK-ja”, tha Maloku.
“Nuk mundem me dhanë vlerësim personal që zoti Krasniqi s’ka kryer një detyrë të tillë sepse është dashur të mbahen mitingje me gazetarë tri herë në javë, ky është vlerësimi im, përndryshe kjo ka qenë detyrë e Krasniqit dhe detyra e tij ka qenë ngritja e qendrave për informim të UÇK-së, që i ka ngritur në Gjenevë, Paris, Londër dhe Uashington, duke përfshirë edhe Prishtinën dhe Tiranën. Kjo ka qenë puna e tij, nuk ka punë më të rëndësishme gati në një luftë se sa informimi, sesa propaganda, kjo është një armë shumë e fuqishme”, tha Venkateswari Alegandra, avokate e Jakup Krasniqit.