Ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, është liruar me kusht sot pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit me 18 vjet burg për disa raste korrupsioni dhe keqpërdorim të pozitës.
Avokati i Sanaderit, Dragan Crnkoviq, deklaroi se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që klienti i tij të lirohet, raportoi Radio-Televizioni Kroat (HRT).
Sanader u dënua me një dënim unik prej 18 vjetësh burg, pasi është dënuar me vendim të formës së prerë në tre raste: për përvetësim të parave nga ndërmarrjet publike në rastin “Fimi Media”, për kërkim dhe marrje ryshfeti në rastin “Planinska”, si dhe për dorëzimin e të drejtave menaxhuese mbi kompaninë Ina te kompania hungareze MOL në këmbim të mitos, shkruan Radio Evropa e Lirë në kroatisht.
Crnkoviq tha se, përveç moshës së Sanaderit, një nga arsyet e përmendura në kërkesën për lirimin e tij ishte gjendja e tij shëndetësore, por se këto nuk ishin arsyet kryesore, pasi ai përmbushte kushtet e përcaktuara nga Kodi Penal. Ai shtoi se ish-kryeministri kishte përfunduar gjysmën e dënimit më 15 gusht 2023.
Ai tha se, pas daljes nga burgu, Sanader fillimisht do të ketë detyrim të paraqitet në stacionin e policisë në Zagreb, dhe më pas në qendrën e provës.
Sipas fjalëve të avokatit, Sanader do të ketë detyrim të paraqitet çdo muaj në polici, nuk do të lejohet të ndryshojë vendbanimin dhe adresën e qëndrimit, dhe për të do të jetë përgjegjës formalisht Gjykata e Qarkut në Zagreb, nga e cila do të duhet të kërkohet miratimi për të ndryshuar vendbanimin apo qëndrimin.
Ish-kryeministri i Kroacisë deri tani ka kaluar prapa grilave në paraburgim ose në bazë të vendimeve gjyqësore, pothuajse nëntë vjet e gjysmë. Lirimi i parakohshëm në sistemin penal kroat mund të kërkohet pas përfundimit të gjysmës së dënimit, dhe zakonisht miratohet pas përfundimit të dy të tretave të tij.