Kryeministri Albin Kurti, ka thënë në mbledhjen e Qeverisë se Lëvizjes Vetëvendosje – parti të cilën e drejton ai – i takon t’i formojë institucionet në legjislaturën e nëntë.
“Si fitues të qartë të zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve”, ka thënë Kurti, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para në këto zgjedhje, me 40.90 për qind të votave. Ndonëse ende nuk janë numëruar votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës, kjo parti nuk e ka siguruar shumicën e nevojshme për formim të Qeverisë.
Analistët politikë kanë përmendur mundësinë e bashkimit të forcave të LVV-së me komunitetet joserbe, që i kanë 10 ulëse të garantuara në Kuvend.
Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të koalicionit me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për formimin e një Qeverie së bashku.