Kryeministri në detyrë Albin Kurti, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.
Procesi i integrimit evropian dhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe BE-së ishin tema të bisedës. Kryeministri theksoi përkushtimin e plotë të qeverisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe angazhimin në zbatimin e reformave.
Në lidhje me aktualitetin në vend dhe interesimin e ambasadorit Orav, kryeministri theksoi rëndësinë e përmbylljes së hapave për konstituimin e Kuvendit, si domosdoshmëri për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, dhe vazhdimit të punës së legjislativit ku presin miratim edhe marrëveshje ndërkombëtare kyçe për integrimin evropian të Kosovës si ajo në lidhje me Planin e Rritjes.