Kurti në negociata me Limajn, Kusari-Lila po i shfaq “vijat e kuqe”: VV, Guxo e Alternativa s’kanë pasur vota për Limajn Kryeparlamentar

Negociatat ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate për një marrëveshje të mundshme që do të nxirrnin vendin nga bllokada ku ka ngecur Kuvendi i Kosovës janë intensifikuar në ditët e fundit.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Në koalicionin LVV-Guxo dhe Alternativa janë optimistë se do të arrihet marrëveshja me Nismën, siç thonë, vetëm për postet në ekzekutiv, pasi nuk lëvizin nga emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se pas takimit të fundit mes kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe atij të Nismës, Fatmir Limaj, ka mundësi të mëdha të arrihet një marrëveshje.

Limaj, në takimet paraprake me Albin Kurtin, është shprehur i interesuar që në kuadër të marrëveshjes me LVV-në të marrë vetëm postin e kryekuvendarit dhe jo të përfshihet në koalicion qeverisës.

Mirëpo, Kusari-Lila deklaron se tashmë është bërë e qartë se grupi i tyre parlamentar nuk ka votë për Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit, mirëpo po shikohen variantet tjera për pozicionet në ekzekutiv.

“Nuk mund të flas për detaje të diskutimit pasi që në diskutim apo në negociata është vetë kryeministri me zotëri Limaj. Do të thotë që ata janë të dytë që diskutojnë, por përderisa ka diskutime në vazhdimësi dhe ka ende paralajmërime për takim, unë mendoj që ka mundësi të arrihet një marrëveshje. Ajo çka ka qenë e qartë në këtë periudhë të dytë të diskutimeve, gjegjësisht ju e dini që ka pasur takime edhe në fillim të mbajtjes së seancave konstituive me udhëheqësin e Nismës Socialdemokrate, zotin Limaj, është se tashmë është e ditur se nga grupi ynë parlamentar i përbërë nga tri parti, Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur zotëri Limaj kryetar i Kuvendit”, tha Kusari-Lila për Kosova Press.