Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u ka bërë thirrje gjithë atyre që nuk besojnë se i ka 61 vota për t’u bërë kryeministër në mandatin e tretë, ta testojnë, e këtë tha se mund ta bëjnë duke e votuar, Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, e kjo sipas tij, do të ishte fitore për ta. “Tash kolegët e mi në Kuvendin e Republikës që udhëheqin subjektet e tyre, ata nuk besojnë se unë i kam 61 vota për kryeministër. Unë u them atyre më testoni. Nëse ata besojnë që Albin Kurti nuk i ka 61 vota deputetësh për t’u bërë kryeministër përsëri e kanë në dorë të më testojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua, nëse unë dështoj, pikërisht kjo do të ishte fitore për ta. Nuk është fitore duke e bllokuar kuvendin dhe duke e pamundësuar kuorumin”, tha Kurti në intervistë për RTK-në.
Kurti tha se nuk po arrin të kuptojë opozitën e, sipas tij, se çfarë saktësisht po do, por tha se duket që edhe ata janë të kënaqur me Kosovën sot me të kryeministër.
“Unë nuk po e di çka po do opozita, bile kam filluar të mendoj se e kanë një dëshirë latente që unë të mbetem kryeministër. Nëse ata dëshirojnë të më largojnë mua do të duhej ta votojnë Albulenën. Kam përshtypjen se nuk duan ta pranojnë, por megjithatë janë në një masë të konsiderueshme të kënaqur në mënyrë latente me Kosovën që është sot me mua si kryeministër, përndryshe do të duhej një orë e më parë ta votojnë Albulenën e ta dëshmojnë se po merr fund qeverisja e LVV-së me kryeministër, Albin Kurtin”, tha tutje kryeministri në detyrë. RTK