Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në një deklaratë për media pas dështimit për konstituimin e kuvendit, e dënoi ashpër krahasimin e protestës se bizneseve të Kosovës me barrikatat e serbëve në veri nga kryeministri në detyrë Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë të mbajtur sot.
“Kanë kaluar 1 muaj e gjysmë prej kur ka fillu tentimi për konstituim dhe 3 muaj prej zgjedhjeve, bllokata e incicuar prej VV-së po vazhdon, sot nuk kemi institucione e as tentim për zhbllokimin e Kosovës”, tha Krasniqi.
“Është për keqardhje që nuk ka asnjë reflektim përkundër gatishmërisë së një pjese të madhe të deputetëve, duke përfshirë partitë që kanë qenë në opozitë, për ta konstituar Kuvendin me një kryetar që e ka shumicën”, ka thënë ai.
“Sot do të duhej të diskutohej për vendimet e tmerrshme që ZRrE ua ka imponuar bizneseve që punësojnë numrin më të madh të punëtorëve në sektorin privat. Por ky bllokim e pamundëson një gjë të tillë. Në emrin e PDK-së e shpreh solidarizimin me mbi 140 mijë punëtorë të mbi 1 mijë bizneseve, të cilët në masë të madhe po protestojnë simbolikisht dhe masivisht… ‘‘Është e turpshme që kryeministri në detyrë i krahason punëtorë e Kosovës, bizneset e Kosovës, me grupet dhe bandat kriminale në veriun e vendit, të cilat në të kaluarën në shumë raste kanë bërë barrikada dhe i kanë bllokuar rrugët atje. Kjo është e turpshme, është e papranueshme, dhe nuk do të duhej të ndodhte asnjëherë”, shtoi ai.