Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas dështimit për herën e njëmbëdhjetë për t’u konstituuar Kuvendi i Kosovës, tha se mund të vijnë edhe 111-të herë të tjera, por Albulena Haxhiu nuk kalon.
“Për Albin Kurtin, Albulena Haxhiu duket të jetë më e rëndësishme se sa rreth 1milion qytetarë që kanë votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe që kanë dhënë verdiktin e tyre. Por në mungesë të besimit të numrave, të shumicës për t’u bërë vetë kryeministër, ai po luan me Albulena Haxhiun duke mbajtur atë si kandidaten që nuk kalon”, tha Krasniqi.
Sipas tij, Haxhiu nuk kaloi e as nuk do të kalojë as në të ardhmen. “Ai e ka më të lehtë që ta sakrifikojë atë sesa të dalë e të matet vetë meqë secili e di që ai nuk i ka numrat”, shtoi kreu i PDK-së.
Krasniqi tha se Kurti duhet ta kuptojë se nuk mund ta mbajë peng me zor shtetin.