Kosova nuk mund të mbetet peng i krizave politike: Është koha për kthesë drejt zhvillimit

Ky shkrim nuk është reagim politik, por reflektim profesional mbi një situatë që ndikon në të gjithë ne – qytetarë, biznese, institucione e shoqëri në tërësi. Si ekonomist dhe sipërmarrës, pjesë e komunitetit të biznesit, ndjej përgjegjësi të flas kur zhvillimet politike po pengojnë zhvillimin ekonomik dhe funksionimin institucional të vendit.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Prej disa javësh, vendi ndodhet në një bllokadë institucionale serioze. Mbi dhjetë herë janë mbajtur seanca konstituive të Kuvendit dhe ende nuk kemi një kryetar kuvendi, nuk kemi struktura funksionale, dhe për pasojë – nuk kemi mundësi për të avancuar ligje apo vendime që ndikojnë direkt në qytetarët dhe bizneset.

Ky ngërç, që në pamje të parë duket teknik apo formal, ka pasoja reale dhe të prekshme. Çdo ditë që humbet në këtë bllokadë, është një ditë më pak për reforma, për planifikim buxhetor, për mbështetje ndaj bizneseve, për politika punësimi, për masa sociale. E mbi të gjitha, është një ditë më shumë pasiguri për qytetarët dhe investitorët e këtij vendi.

Kjo situatë kërkon që përveç urgjencës për të zhbllokuar institucionet, të vendoset menjëherë prioriteti i zhvillimit ekonomik. Propozoj që Kuvendi i ardhshëm – sapo të funksionalizohet – të miratojë një paketë emergjente për rimëkëmbjen dhe përkrahjen e sektorit privat, në veçanti për bizneset e vogla dhe të mesme që përballen me kosto në rritje, mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe qasje të vështirë në financa. Një fond i posaçëm për inovacion, subvencionim të energjisë së pastër për prodhuesit lokalë dhe ulje të ngarkesës fiskale për investimet kapitale do të ishin hapa konkretë dhe të matshëm.

Kosova nuk është në pozitë që të humbasë kohë. Ne kemi sfida të mëdha përpara: ekonomia jonë ka nevojë për rritje të qëndrueshme, për mbështetje të prodhimit vendor, për digjitalizim, për investime në energji të pastër, për qasje më të mirë në financa dhe për politika që e mbështesin punësimin real. Për të gjitha këto, duhet stabilitet institucional dhe një Kuvend funksional.

Zgjidhja nuk është e lehtë, por është e mundshme. Të gjitha partitë politike duhet të kuptojnë se qytetarët i kanë votuar për të qeverisur, jo për t’u bllokuar. Në çdo demokraci të pjekur, kompromisi nuk shihet si dobësi, por si forcë dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. Kërkohet maturi, fleksibilitet dhe vullnet për të ecur përpara.

Unë nuk i drejtohem askujt në veçanti, por të gjithëve njëkohësisht. Është koha për një hap pas në emër të një hapi të përbashkët përpara. Nëse këtë krizë e tejkalojmë me pjekuri, atëherë mund t’i rikthehemi agjendave të rëndësishme: zhvillimit ekonomik, mbështetjes për sektorin privat, përmirësimit të klimës së investimeve dhe reformimit të sistemit arsimor për të përgatitur të rinjtë për tregun e punës.

Një prej hapave që mund të ndërmerren menjëherë është krijimi i një “Pakti për Zhvillim Ekonomik” — një marrëveshje ndërmjet partive politike, institucioneve publike dhe komunitetit të biznesit, për të identifikuar pesë prioritetet urgjente ekonomike që duhet të adresohen në 12 muajt e ardhshëm: qasja në financim për bizneset e vogla, investimet publike në infrastrukturë digjitale dhe fizike, zhvillimi i fuqisë punëtore përmes trajnimeve praktike, lehtësimi i barrës tatimore për sektorët strategjikë, dhe një qasje e re ndaj eksportit dhe diasporës si partner zhvillimi. Ky pakt nuk kërkon konsensus absolut politik – kërkon vullnet minimal për të ecur përpara në çështjet që i ndajnë më pak njerëzit sesa ato që i ndajnë më shumë.

Qytetarët e Kosovës meritojnë institucione që funksionojnë. Meritojnë qeverisje që ofron zgjidhje, jo ngërçe. Meritojnë përfaqësues që vendosin interesin e vendit para interesit të partisë. Dhe mbi të gjitha, meritojnë një shtet që ecën përpara, e jo që rrotullohet në vend.

Nëse nuk fillojmë ta ndërtojmë këtë realitet sot, kur do ta bëjmë?

Armend Aliu – Ekonomist