Kosova – larg Lindjes së Mesme, por afër pasojave

Në kohën kur bota rri pezull nga përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme dhe pasojat e mundshme të një konflikti me përmasa globale, shtetet e vogla si Kosova gjenden përballë disa pyetjeve thelbësore: sa të përgatitura janë për të përballuar një krizë që mund t’i lëkundë themelet më të qëndrueshme të sigurisë ndërkombëtare, dhe çfarë rreziqesh konkrete u kanosen atyre?

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Sipas ekspertit të sigurisë, Adrian Shtuni, natyra e një krize globale është e tillë që askush nuk mbetet imun ndaj pasojave të saj, por jo të gjithë preken njësoj.

“Kosova është e cenueshme përgjithësisht në mënyrë të moderuar, por krahasimisht më shumë sesa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, thotë ai, duke përmendur arsyet ekonomike, politike dhe të sigurisë.

Për ekspertin e politikave ndërkombëtare, Gëzim Visoka, armiqësia e vazhdueshme e Serbisë përbën kërcënimin më të madh për stabilitetin e Kosovës – një rrezik që, në kohë krizash globale, mund të amplifikohet dhe të shfrytëzohet nga aktorë me interesa destabilizuese.

Pasojat ekonomike dhe sfidat e sigurisë për Kosovën

Adrian Shtuni, nga Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit, thekson se Kosova është veçanërisht e ndjeshme ndaj pasojave ekonomike që mund të shkaktojë kjo krizë.

Ai shpjegon se situata do të përkeqësohej ndjeshëm në rast se Irani vendos të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, nga kalon rreth 20 për qind e konsumit global të naftës dhe gazit natyror.

Për një vend si Kosova, i cili tashmë ka përjetuar një rritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike me 16% këtë vit, “rritja e mëtejshme do të ishte një shok për ekonominë”, thotë Shtuni për Radion Evropa e Lirë.

Ai nënvizon se, me një ekonomi të mbështetur fort në importe dhe remitenca – të cilat përbëjnë rreth 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto – çdo tronditje në ekonominë globale do të përkthehej menjëherë në presion mbi familjet kosovare.

“Gjithashtu, fakti që Kosova ka një deficit tregtar të konsiderueshëm, që në dhjetor të vitit 2024 u rrit me 17.5% krahasuar me një vit më parë, e ekspozon atë akoma edhe më shumë ndaj një krize globale, që do të rriste jo vetëm çmimin e energjisë, por edhe të ushqimeve dhe mallrave të konsumit, që vendi kryesisht i importon”, thotë Shtuni.

Eksperti me seli në Uashington paralajmëron se pasojat ekonomike nuk mund të shkëputen nga sfidat politike dhe të sigurisë.

Në kohë krizash, kur vëmendja e partnerëve strategjikë është e shpërndarë, ai thotë se Kosova rrezikon të dalë edhe nga radari i aleatëve të saj më të rëndësishëm.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit, ndan shqetësim të ngjashëm.

Ai thekson se krizat globale krijojnë vakume gjeopolitike që mund të shfrytëzohen nga aktorë destabilizues për të dobësuar Kosovën.

Visoka e sheh armiqësinë e vazhdueshme të Serbisë si “kërcënimin më të madh për stabilitetin e brendshëm të vendit”.

Ai, po ashtu, paralajmëron se varësia e theksuar e Kosovës nga prania ushtarake e NATO-s, e bën atë veçanërisht të cenueshme, në rast se Aleanca detyrohet të zhvendosë trupa drejt zonave më të nxehta të konfliktit global.

“Rreziqe të tjera mund të jenë sulmet e fshehta nga qeveri joperëndimore dhe grupe joshtetërore ndaj pranisë ushtarake të NATO-s dhe SHBA-së në Kosovë”, thotë Visoka për Radion Evropa e Lirë.

Në të njëjtën linjë, Shtuni shton se aktorët me qëllime jomiqësore ndaj Ballkanit Perëndimor, veçanërisht ata që tradicionalisht janë kundër anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE dhe NATO, mund të shfrytëzojnë amullinë e krizave globale për të destabilizuar rajonin.

Sipas tij, këto kërcënime synojnë dy pika të dobëta, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën, duke instrumentalizuar përçarjet dhe tensionet ndëretnike në këto dy vende.

Mungesa e integrimit ndërkombëtar, pengesë për menaxhimin e krizave

Të dy ekspertët theksojnë se izolimi ndërkombëtar e bën Kosovën më të pambrojtur ndaj krizave globale.

Mungesa e anëtarësimit në OKB, BE apo Interpol, thonë ata, e përjashton vendin nga mekanizmat kolektivë të reagimit dhe mbështetjes ndërkombëtare.

Kjo, sipas Shtunit, “përbën pengesë për bashkëpunimin sa më të fortë dhe efikas në përballjen me terrorizmin apo krimin kibernetik – probleme që mund të shtohen nëse kriza në Lindjen e Mesme përshkallëzohet më tej”.

Çfarë mund të bëjë Kosova?

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Qeverinë në detyrë të Kosovës për të pyetur nëse janë marrë masa konkrete për të mbrojtur ekonominë dhe sektorin e energjisë nga një krizë globale e mundshme, por nuk mori përgjigje.

Në këtë kontekst sfidues, ekspertët nënvizojnë nevojën urgjente për forcimin e institucioneve dhe për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.

Shtuni thekson se fakti që Kosova, edhe më shumë se katër muaj pas zgjedhjeve, nuk ka një kuvend të konstituuar dhe qeveri funksionale, e dobëson rëndë kapacitetin e saj për të përballuar sfidat e sigurisë.

Ai e quan këtë një “dobësi të vetëshkaktuar” nga mungesa e vullnetit politik.

“Kjo përbën çarmatosjen më të dëmshme të lidershipit në Kosovë, çarmatosjen nga përgjegjshmëria politike dhe mendimi praktik për zgjidhje kompromisi. Nëse nuk ka vetëdijesim të shpejtë, kjo krizë rrezikon të sjellë pasoja të kushtueshme dhe afatgjata për vendin”, thotë Shtuni. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *