Deputetët e Kuvendit të Kosovës e zgjodhën Nenad Rashiqin nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe nuk i siguruan votat e nevojshme.
•Lista Serbe e kundërshtoi këtë hap dhe konsideroi se janë bërë shkelje kushtetuese.
•Me gjithë kundërshtimet, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin të konstituuar.
•Seanca konstituive u mbajt pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja
•Dështimi për ta bërë Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit e ka zhytur vendin në krizë.
Serbia kundërshton zgjedhjen e Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës
Lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës ka reaguar edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Sipas Petkoviqit, zgjedhja e Rashiqit është “krejtësisht joligjore”, pasi sipas tij, posti i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb i përket “vetëm Listës Serbe”.
“Shkeljet e vendimeve ligjore të [kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin] Kurti arritën kulmin sot. Nëse Kurti zgjedh Rashiqin, serbët do ta zgjedhin Listën Serbe edhe më fuqishëm”, shkroi ai në X, duke u bërë thirrje serbëve në Kosovë që në zgjedhjet lokale, që mbahen të dielën, të mbështesin Listën Serbe. REL




