Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i ka hedhur poshtë interpretimet se Gjykata Kushtetuese gjeti se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i Vetëvendosjes, e shkeli Kushtetutën duke propozuar votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Duke folur në një konferencë për media në prag të seancës konstituive, Konjufca tha se interpretimi i Vetëvendosjes është se Gjykata Kushtetuese “nuk ka gjetur asnjë shkelje” në votimin e fshehtë.
Ai tha se ata që thonë se Dehari e shkeli Kushtetutën përmes votimit të fshehtë, “janë lexues të dobët” të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Ata ose nuk e kanë lexuar vetë ose e interpretojnë gabimisht, ose interpretojnë me interpretime të të tjerëve”, tha Konjufca.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani tha në lidhje me votimin e fshehtë, i cili e ka shkaktuar ngërçin tani, se “asnjëherë nuk ka pasur votim të fshehtë për konstituimin e Kuvendit. Gjykata e ka thënë këtë”, theksoi Hasani.
Konjufca gjithashtu tha se nga këndvështrimi i leximit të vendimit të Kushtetueses nga Vetëvendosje, detyrimi për ta përfunduar konstituimin e Kuvendit është i të gjithëve dhe jo vetëm i partisë fituese.
“E kemi LDK-në, me qëndrimin më radikal, e cila nuk merr fare pjesë në asnjë votim, as për kryetarin as për komisionin për votim të fshehtë. I kemi edhe partitë e tjera që i kanë dhënë propozimet e tyre”, shtoi ai.