Një tragjedi e rëndë goditi Maqedoninë e Veriut, ku një zjarr shkatërrues në klubin “Pulse” në Koçan mori jetën e të paktën 59 personave. Mes viktimave ishte edhe Andrej Gorgievski, një nga themeluesit e grupit të njohur hip-hop DNK.
Sipas dëshmitarëve, Gorgievski arriti të largohej nga ndërtesa e përfshirë nga flakët, por u kthye brenda për të shpëtuar të tjerët. Tragjikisht, një pjesë e tavanit u shemb mbi të, duke e bllokuar atë dhe dhjetëra të tjerë, përfshirë të mitur që kishin ardhur për koncertin. Ai la pas një vajzë dhjetëvjeçare, Janën, dhe një familje të pikëlluar. Trupi i tij u identifikua nga gruaja dhe nëna e tij para se të dërgohej për autopsi.
Andrej Gorgievski, i lindur dhe rritur në Shkup, ishte një figurë e njohur e muzikës hip-hop maqedonase dhe themelues i grupit DNK. Grupi ishte i njohur për këngët e tij me tema sociale, miqësie dhe dashurie. Disa nga hitet e grupit përfshijnë “Fala”, “Ako utre me nema”, “Srce”, “Amajlija” dhe “Romani”.
Këngëtarja Kaliopi i kushtoi një postim prekës: “Andrej… Zemra ime po copëtohet. Humanizmi yt shkëlqeu edhe në çastet e fundit, duke shpëtuar jetë. Nuk duhej të ishte kështu… Ndihem e pikëlluar dhe e zemëruar”.
Tragjedia goditi gjithashtu anëtarë të tjerë të grupit DNK. Përveç Andrejit, humbën jetën Filip Stefanovski, Aleksandar Kolarov, Gorđi Gorđiev dhe Sara Projkovska. Po ashtu, mes viktimave ishin edhe Martin Atanasovski dhe Igor Velkov. Me 500 persona të pranishëm në momentin e zjarrit, autoritetet po hetojnë shkaqet e tragjedisë, ndërsa Maqedonia po vuan humbjen e disa prej artistëve më të dashur.