Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar sot analizën më të re që trajton pasojat e thella të bllokadës institucionale në Kuvendin e Kosovës, i cili tashmë ka hyrë në muajin e katërt pa konstituim.
Sipas KDI-së, situata aktuale nuk është më një krizë pas-zgjedhore, por një çrregullim i rrezikshëm institucional që rrezikon themelet e demokracisë funksionale dhe cenon rendin kushtetues të vendit.
Gjatë një konference për media, përfaqësuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, theksoi se mungesa e Kuvendit funksional ka krijuar një vakuum institucional, ku qytetarët kanë mbetur pa përfaqësim demokratik, Qeveria në dorëheqje vepron pa mbikëqyrje, dhe institucionet e pavarura janë jashtë kontrollit kushtetues.
“Kuvendi nuk është thjesht një institucion ligjvënës. Ai është themeli i rendit kushtetues të Kosovës. Pa Kuvend funksional, qytetarët janë përjashtuar nga vendimmarrja dhe shteti ka hyrë në një fazë pauze”, deklaroi Cakolli.
Raporti thekson se afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është tejkaluar, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese (KO124/25), duke përbërë një shkelje të hapur të rendit kushtetues dhe duke e futur vendin në një “terren të pashkelur” me pasoja të paparashikueshme.
Gjatë kësaj periudhe, Qeveria në dorëheqje ka marrë vendime me ndikim të madh politik e financiar, përfshirë angazhime buxhetore mbi 70 milionë euro, pa asnjë mbikëqyrje parlamentare dhe jashtë mandatit të kufizuar që përcakton Ligji për Qeverinë.
Sipas analizës, reformat kyçe në drejtësi – përfshirë Vettingun dhe Kodin Civil – kanë mbetur të pezulluara. Ndërkohë, pesë projektligje të rëndësishme të reformës në drejtësi janë të bllokuara, dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është ndërprerë – përfshirë ato me FMN-në, Bankën Botërore dhe Planin e Rritjes së BE-së, me vlerë mbi 800 milionë euro për Kosovën.
Analiza gjithashtu evidenton se mbi 20 institucione të pavarura, me një buxhet prej 59 milionë euro, po operojnë pa mbikëqyrje. Raportet për vitin 2024 nuk janë shqyrtuar dhe disa borde vazhdojnë të mbeten jofunksionale, duke hapur rrugë për ndërhyrje politike dhe keqpërdorim të fondeve publike.
KDI thekson se që nga fillimi i krizës, e veçanërisht në tre muajt e fundit, Kosova ka funksionuar pa përfaqësim politik efektiv. Kjo situatë, sipas raportit, minon legjitimitetin institucional dhe dëmton besimin publik në sistemin demokratik.
KDI i bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe akterëve politikë që të veprojnë pa vonesa, në përputhje me parimet e kompromisit dhe konsensusit politik, duke kërkuar gjithashtu auditim të plotë të vendimmarrjes së Qeverisë në dorëheqje gjatë periudhës së bllokadës.