Populistit rumun të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, i është ndaluar të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të majit nga Byroja Qendrore Zgjedhore e vendit.
Në dhjetor, gjykata kushtetuese e Rumanisë anuloi raundin e parë të votimit – në të cilin ai doli i pari – pasi inteligjenca zbuloi se Rusia ishte përfshirë në 800 llogari të TikTok që e mbështesnin atë.
Byroja hodhi poshtë kandidaturën e tij për ato që i quajti “çështje procedurale”, pa dhënë detaje të mëtejshme. Georgesku e quajti vendimin një “goditje të drejtpërdrejtë” ndaj demokracisë.
Ai ka tani 24 orë nga vendimi i së dielës për të paraqitur një ankesë zyrtare, e cila duhet të nxjerrë një vendim brenda 72 orëve. Gaz lotsjellës u hodh ndaj mbështetësve të kandidatit presidencial pasi dhuna shpërtheu mes tyre dhe policisë ndërsa ata u mblodhën me mijëra jashtë zyrave të Byrosë Zgjedhore.
Në një postim në mediat sociale, Georgescu e quajti ndalimin një “goditje të drejtpërdrejtë në zemrën e demokracisë në mbarë botën”.
Më 26 shkurt, ai u arrestua gjatë rrugës për t’u regjistruar si kandidat në zgjedhjet e verës, duke bërë që dhjetëra mijëra rumunë të marshonin në rrugët e Bukureshtit në shenjë proteste.
Ai u akuzua për përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues dhe anëtarësim në një organizatë neofashiste. Ai ka mohuar të gjitha keqbërjet.
62-vjeçari i pavarur erdhi nga askund për të fituar raundin e parë të zgjedhjeve të vitit të kaluar, rezultatet e të cilave u anuluan vetëm disa ditë para raundit të dytë të votimit.
Një çelës për popullaritetin e tij të papritur ishte premtimi i tij për të “rivendosur dinjitetin e Rumanisë” dhe për t’i dhënë fund nënshtrimit ndaj organizatave ndërkombëtare të cilave u përket, duke përfshirë NATO-n dhe BE-në.
Përpara anulimit të vitit të kaluar, politikani pro-rus i tha BBC-së se do t’i jepte fund të gjithë mbështetjes për Ukrainën nëse zgjidhej. BBC