Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar planin e propozuar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që ushtria “të marrë kontrollin” e Qytetit të Gazës.
Sipas planit për “mposhtjen” e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës, ushtria izraelite do “të përgatitet të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, teksa njëkohësisht do të shpërndajë ndihma humanitare për popullatë civile jashtë zonave të luftimeve”, u tha në njoftimin e Zyrës së Netanyahut më 8 gusht.
Gati dy vjet pas nisjes së luftës në Gazë, Netanyahu po përballet me presion brenda shtetit dhe nga jashtë për të arritur një armëpushim në Gazë dhe për t’u tërhequr nga territori palestinez. Ai gjithashtu po përballet me presion që të lirohen pengjet që mbahen nga Hamasi.
Teksa mblodhi kabinetin e tij të sigurisë të enjten, Netanyahu tha se Izraeli planifikon që të marrë kontrollin e plotë të Gazës, por shtoi se nuk synon që të qeverisë me këtë territor.
Para takimit, Netanyahu i tha medias amerikane Fox News se Qeveria synon të marrë kontrollin e plotë të Rripit të Gazës, ku ushtria e tij po lufton me Hamasin që nga sulmi i grupit radikal palestinez ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Ai shtoi se Izraeli nuk dëshiron “ta mbajë” Rripin e Gazës, të cilin e kishte pushtuar në vitin 1967, por nga ku u tërhoq, së bashku me trupat dhe kolonët, më 2005.
Netanyahu tha se Izraeli dëshiron një “perimetër sigurie” dhe t’ia dorëzojë territorin palestinez “forcave arabe që do ta qeverisin siç duhet, pa na kërcënuar dhe duke u ofruar palestinezëve në Gazë një jetë të mirë”.
“Kjo nuk është e mundur me Hamasin”, shtoi ai.
Të premten, Zyra e Netanyahut tha se shumica e kabinetit të sigurisë ka miratuar “pesë parime për përfundimin e luftës: çarmatimin e Hamasit; kthimin e të gjithë pengjeve – të gjallë dhe të vdekur; demilitarizimin e Rripit të Gazës; kontrollin e sigurisë nga Izraeli në Rripin e Gazës; krijimin e një administrate alternative civile që nuk është as Hamasi e as Autoriteti Palestinez”.
“Shumica e ministrave të kabinetit të sigurisë besuan se plani alternativ që ishte paraqitur në kabinetin e sigurisë nuk do të arrinte as mposhtjen e Hamasit dhe as kthimin e pengjeve”, u tha në njoftim, pa dhënë detaje të tjera.
Zgjerimi i ofensivës izraelite në Gazë mund të bëjë që trupat të operojnë në zona me popullsi të dendur, ku besohet se mbahen pengjet, raportuan mediat izraelite.
Pas raportimeve për zgjerimin e mundshëm të ofensivës në Gazë, në Izrael janë rritur shqetësimet se çfarë mund të nënkuptojë kjo për pengjet që ende mbahen në territorin palestinez. Teksa është mbajtur mbledhja e kabinetit të sigurisë, para Zyrës së Netanyahut qindra protestues kërkuan një marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Grupi radikal palestinez, Hamas, ka reaguar ndaj njoftimeve izraelite, duke thënë se “planet e Netanyahut për përshkallëzimin e agresionit konfirmojnë dëshirën e tij për t’i hequr qafe pengjet dhe për t’i sakrifikuar për interesat e tij personale dhe të agjendës ideologjikisht ekstreme”.
Nga 251 pengjet që Hamasi mori gjatë sulmit më 2023 – kur vrau edhe afër 1.200 persona – 49 ende mbahen në Gazë, përfshirë 27 që ushtria izraelite thotë se kanë vdekur.
Ofensiva e ushtrisë izraelite në Gazë ka vrarë më shumë se 61.000 palestinezë, sipas shifrave të ofruara nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë. Lufta ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në enklavën palestineze dhe banorët po përballen me krizë humanitare.
Së voni, Izraeli ka hequr pjesërisht kufizimet për hyrjen e ndihmave në Rripin e Gazës. Por, Kombet e Bashkuara thonë se për të lehtësuar krizën humanitare, duhet që në Gazë çdo ditë të hyjnë 600 kamionë me ndihma. REL